Konkursi për drejtor të 16 klinikave nuk është bazuar në statutin e QKUK-së, duke i përjashtuar specialistët pa tituj shkencor dhe akademik.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka shpallur konkursin për drejtor të 16 klinikave në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Ky konkurs është bazuar në Rregulloren e Qeverisë 30/2024 për Procedurën e Pranimit të Nëpunësve të Shërbimit Publik në Sektorin e Shëndetësisë. Konkursi nuk është bazuar fare në Statutin e QKUK-së.

Kërkesat e përgjithshme dhe formale në këtë konkurs i kanë përjashtuar një pjesë të kandidatëve, specialistët pa tituj shkencor dhe akademik.
“Specialist të lëmive përkatëse me thirrje akademike ose me thirrje shkencore dhe kualifikime të veçanta në lëmin e menaxhmentit shëndetësor”, thuhet në konkurs.
Për dallim nga ky, konkursi i muajit nëntor 2024 përmes të cilit u zgjodhën nëntë drejtorë të klinikave, ka qenë i bazuar edhe në Statutin e QKUK-së, përkatësisht Nenin 16.

Në këtë nen jepet mundësia që të zgjidhen drejtor edhe specialist me përvojë por që nuk kanë tituj shkencor ose akademik.
Neni 16:
- Drejtorët e klinikave dhe shërbimeve klinike si dhe shefat e njësive përbërëse të këtyre njësive organizative të QKUK, zgjidhen nga radhët e specialistëve të lëmive përkatëse me thirrje akademike ose me thirrje shkencore.
- Në mungesë të kandidatëve me thirrje akademike ose shkencore, Drejtorët dhe shefat e njësive organizative të QKUK nga paragrafi 1 i këtij neni zgjidhen nga radhët e specialistëve të lëmive përkatëse me vlerësimin më të mirë gjatë përzgjedhjes.
- Përparësi me rastin e përzgjedhjes së specifikuar në paragrafin 1 dhe 2 të këtij Neni kanë kandidatët me kualifikime të veçanta në lëmin e menaxhmentit shëndetësor.
Në konkursin e shpallur nga SHSKUK, kualifikimi në lëmin e menaxhmentit shëndetësor nuk është vendosur si përparësi por si kriter sepse nuk përmendet fare fjala “përparësi”.
Ky konkurs është i hapur deri më 22 prill të këtij viti.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga SHSKUK për këtë këtë konkurs dhe kriteret e vendosura, por nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/




