Asamblistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në komunën e Prishtinës Fitnete Bejta po kërkon që Spitali i Prishtinës të ndërtohet larg nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Derisa propozimet e mëhershme kanë qenë që spitali të ndërtohet afër QKUK-së, asamblistja e AAK-së po kërkon që spitali të ndërtohet në skajin e kundërt të kryeqytetit, shkruan Gazeta Shneta.
Gjithsesi kërkesa e saj mbetet vetëm një propozim pasi lokacioni pritet të përcaktohet në bazë të rezultateve të studimit të fizibilitetit nga kompania gjermane ICME e angazhuar nga komuna e Prishtinës.
Postimi i plotë i Fitnete Bejtes:
Kompania gjermane ICME, është duke bërë studimin e fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës dhe pastaj do të hartoj edhe planin detal të këtij spitali.
Për Spitalin e Prishtinês janë ndarë 7 milionë euro dhe nga ana e Komunës ka mbetur vetëm të caktohet lokacioni për ndërtim.
Në cilësinë e Këshilltares Komunale kërkoj nga Komuna që ky spital të ndërtohet në hapsirën e Kazermës së dikurshme të TMK-së në Llukar.
Sipas informatave të siguruara në atë lokacion ka hapsirë të mjaftueshme për ndërtimin e një Institucioni të tillë dhe ndikon pozitivisht edhe në aspektin social dhe ekonomik në atë pjesë të qytetit.
Ndërtimi i Spitalit të qytetit është premtim i kahmotshëm por ndërtimi i tij në këtë pjesë të Prishtinës do të ishte lajm i mirë pasiqë është hera e parë që ndodhë ndonjë investim i madh në këtë pjesë.