Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar dorëheqjen e Rifat Latifit nga posti i Ministrit të Shëndetësisë.
Abdixhiku ka hedhur në pah faktin se Rifat Latifi është i dyti që heq dorë nga ky post, pas Arben Vitisë, në Qeverinë Kurti.
Ai shkroi se në 1 vit e gjysmë udhëheqje të Qeverisë Kurti, tashmë po pritet për ministrin e 3-të që do ta marrë këtë post.
Ironikisht, Abdixhiku ka pyetur nëse për sukseset e munguara të qeverisë aktuale i kanë fajet 20 vitet e kaluara të qeverisjes.
“Një vit e gjysmë qeveri, në pritje të ministrit të 3-të në shëndetësi. Vetëm 5% investime kapitale të realizuara sivjet. Fajet? 20 vjet? Paaftësi e papërgjegjësi!”, ka shkruar Abdixhiku.
Kujtojmë se Rifat Latifi të enjten ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Në letrën e dorëheqjes që Latifi ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti ai ka shprehu keqardhje dhe zhgënjim.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Pas dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, deputeti i partisë Guxo, Burim Meta ka kërkuar nga kryeministri Kurti të diskutojë edhe me krerët e kësaj partie për të vendosur për ministrin e ri të Shëndetësisë.
Meta ka propozuar emrin e Haxhi Avdylit që do të mund t’ia dilte mbanë në fushën e shëndetësisë.




