Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka kërkuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Shadije Gërguri, me arsyetimin se e njëjta është vonuar në përpilimin e aktgjykimit të cilin ai e quan skandaloz, çka sipas tij, e pamundëson ushtrimin e të drejtës së tij për ankesë në Gjykatën e Apelit.
Aktgjykimin e shpallur nga gjykatësja Shadije Gërguri, më 24 prill të këtij viti, me të cilin Agani ishte dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ish-ministri po e konsideron skandaloz dhe të kundërligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me datë 24.04.2019 trupi gjykues i përberë nga Gjyqtarja Shadije Gërguri, Violeta Namani dhe Mustafë Tahiri kanë shpallur aktgjykimin me të cilin më kanë shpallur fajtor dhe më kanë dënuar me dënim kapital prej 2 vite e 6 muaj burgim efektiv. Duke e vlerësuar vendimin e tillë si skandaloz, të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me të gjitha provat materiale të administruara gjatë procesit gjyqësor kam qenë dhe mbetem tejet i interesuar për të atakuar këtë vendim pranë Gjykatës së Apelit me qëllim që vendimi i tillë të anulohet”, thuhet në ankesën/kërkesën e tij drejtoruar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Mirëpo, Agani thotë se as pa 3 muajve nga shpallja e aktgjykimit ende nuk e ka pranuar të njëjtin në formë të shkruar, çka sipas tij, e pamundëson ushtrimin e të drejtës së tij për ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Që nga data 24.04.2019 e gjer sot 24.07.2019 kur kanë kaluar 3 muaj të plotë unë ende nuk kam pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin jam dënuar. Theksoj se përderisa nuk pranoj në formë të shkruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e kam të pamundur si teknikisht po ashtu edhe ligjërisht që të ushtrojë të drejtën time të ankesës. Kjo për shkak se as nuk kam njohuri e as që mund ta marr me mend se çfarë arsyetimi ka mundur të jap Gjykata Themelore për dënimin tim kur të gjitha provat kanë argumentuar të kundërtën, e pa qenë i njoftuar me arsyetimin e tillë nuk kam mundësi që të njëjtin ta atakoj.” thotë Agani.
Sipas tij, është pengesë ligjore që të ushtrohet mjeti juridik i ankesës pa pranuar aktgjykimin nga Gjykata.
“Neni 380 i Kodit të Procedurës Penale ka paraparë që ankesa mund të ushtrohet brenda afatit prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit; ndërsa duke qenë se tash e 3 muaj aktgjykimi nuk më është dorëzuar rrjedhimisht është duke m’u cënuar e drejta ime e ankesës.” thuhet tutje në ankesë/kërkesën drejtuar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti ka shtuar se nuk ka njohuri nëse gjykatësja Gërguri ka kërkuar afat shtesë shtesë për të përpiluar me shkrim aktgjykimin dënues në rastin e tij, ashtu siç edhe parashihet me nenin 369 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
“Në rastin tim përkundër se nuk kam njohuri nëse Kryetarja e Trupit Gjykues znj. Shadije Gërguri ka kërkuar afat shtesë apo jo ky afat është tejkaluar tash e shumë kohë, respektivisht me datë 24.07.2019 bëhen plot 3 muaj nga shpallja e aktgjykimit ku jam gjetur fajtor”, ka shkruar Agani. Tutje, ish-ministri ka thënë se mos dorëzimi i aktgjykimit në rastin e tij më cenon rëndë reputacionin e tij si qytetar dhe politikan.
*Artikullin e plotë mund ta lexoni në Betimi për drejtësi