Një studim i ri tregon se inteligjenca artificiale (AI) mund të identifikojë personat me rrezik të lartë për melanoma deri në pesë vjet përpara se sëmundja të diagnostikohet.
Studiues nga Universiteti i Göteborgut në Suedi kanë përdorur të dhëna ekzistuese mjekësore për të analizuar rrezikun në popullatë dhe për të gjetur grupe të vogla njerëzish me probabilitet dukshëm më të lartë për zhvillimin e këtij lloji të rrezikshëm të kancerit të lëkurës, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesit Martin Gillstedt, të dhënat që tashmë ekzistojnë në sistemet shëndetësore mund të shfrytëzohen më mirë për të identifikuar individët në rrezik të shtuar.
Ai thekson se kjo metodë ende nuk përdoret në kujdesin rutinë shëndetësor, por rezultatet tregojnë potencial të madh për të ardhmen.
Ekipi analizoi të dhëna klinike të të gjithë të rriturve në Suedi që jetuan në vend midis viteve 2005 dhe 2014, rreth 6 milionë persona.
Përveç moshës dhe gjinisë, AI u pasurua edhe me informacione si historiku i barnave dhe diagnoza të tjera mjekësore.
Modeli më i avancuar arriti të dallojë personat që më vonë zhvilluan melanoma në rreth 73% të rasteve, krahasuar me 64% kur u përdorën vetëm mosha dhe gjinia. Kur u kombinuan të dhëna mjekësore dhe socio-demografike, u identifikuan grupe me rrezik të lartë, ku probabiliteti i zhvillimit të sëmundjes brenda pesë viteve arrinte deri në 33%.
Melanoma shkaktohet kryesisht nga rrezatimi ultraviolet, dhe mund të përhapet në trup nëse nuk zbulohet herët. Për këtë arsye, diagnostikimi i hershëm është jetik, pasi rrit ndjeshëm shanset e mbijetesës.
Studiuesit sugjerojnë se AI mund të ndihmojë në përmirësimin e skriningut dhe përdorimin më efikas të burimeve shëndetësore, por theksojnë se nevojiten kërkime dhe vendime politike para se kjo metodë të përdoret gjerësisht në praktikën mjekësore. /Gazeta Shneta/


