Dy fëmijë në Angli kanë humbur jetën nga fruthi gjatë këtij viti, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë për një rritje shqetësuese të rasteve të reja të sëmundjes në vend.
Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA) njoftoi se njëri fëmijë vdiq nga fruthi akut, ndërsa tjetri nga komplikacionet afatgjata të shkaktuara nga sëmundja. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, kjo është hera e parë që dy fëmijë vdesin nga fruthi brenda të njëjtit vit në Angli dhe Uells që nga viti 2018, raporton The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Të dhënat më të fundit tregojnë se në dy javët e fundit janë konfirmuar 106 raste të reja, duke e çuar numrin total të infektimeve të raportuara nga 1 janari deri më 8 qershor në 736. Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2025 ishin regjistruar 959 raste.
“Fruthi vazhdon të qarkullojë në shumë pjesë të vendit dhe, siç kemi parë, mund të jetë shumë serioz, madje edhe fatal,” tha epidemiologia Vanessa Saliba nga UKHSA, duke u bërë thirrje prindërve të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që përhapet lehtësisht te personat e pavaksinuar. Edhe pse shumica e pacientëve shërohen, virusi mund të shkaktojë komplikacione të rënda si pneumonia, inflamacioni i trurit, paaftësi afatgjata dhe në raste të rralla vdekje.
Shqetësimi është rritur edhe për shkak të rënies së mbulimit me vaksina. Të dhënat tregojnë se vetëm 91.8% e fëmijëve pesëvjeçarë në Angli kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës MMR gjatë viteve 2024-2025, niveli më i ulët që nga viti 2010.
Në fillim të vitit, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar nuk konsiderohet më një vend që e ka eliminuar fruthin, për shkak të rritjes së rasteve dhe ngecjes së vaksinimit.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre, duke theksuar se nuk është kurrë vonë për të marrë dozat e humbura dhe për të mbrojtur jo vetëm fëmijët, por edhe personat më të rrezikuar në komunitet. /Gazeta Shneta/


