Infeksionet nga të ashtuquajturat “baktere të makthit”, rezistente ndaj antibiotikëve, janë në rritje të ndjeshme në Shtetet e Bashkuara.
Një raport i ri nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se rastet me baktere të rezistueshme ndaj barnave u rritën pothuajse 70% nga viti 2019 deri në vitin 2023.
Shkencëtarët theksojnë se rritja kryesisht lidhet me bakteret që bartin gjenin NDM, kundër të cilave funksionojnë vetëm dy antibiotikë të kushtueshëm, të administrueshëm vetëm me serum, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Shneta.
Këto infeksione, dikur të rralla dhe të lidhura me pacientë që trajtoheshin jashtë vendit, tani janë shtuar pesëfish në SHBA.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë paraqet një rrezik serioz për shëndetin publik, pasi infeksione të zakonshme si ato të traktit urinar mund të kthehen në probleme kronike.
Një faktor kryesor i rezistencës është përdorimi i tepruar ose i papërgjegjshëm i antibiotikëve, sidomos gjatë pandemisë COVID-19.
Megjithatë, raporti i CDC-së ofron vetëm një pamje të pjesshme, pasi shumë shtete nuk raportojnë të dhëna të plota. Sipas studiuesve, numri real i rasteve në SHBA mund të jetë dukshëm më i lartë./Gazeta Shneta/




