Po rritet numri i të rinjve të infektuar me sifiliz, një kërcënim serioz për shëndetin për shkak të pasojave të rënda që sjell.
Kjo situatë përbën një alarm të madh për institucionet, pasi prania e sifilizit shoqërohet shpesh me sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme.
“Në një studim të fundit të realizuar në departamentin tonë, identifikuam 100 raste brenda dy viteve. 95% e tyre ishin meshkuj, kryesisht në moshën 20-40 vjeç. Kjo lidhet me marrëdhëniet e paqëndrueshme dhe sjelljet rrezikshme, veçanërisht meshkuj me meshkuj,” tha prof. Dr. Arjan Harxhi.
Sifilizi është një sëmundje seksualisht e transmetueshme që rrezikon jo vetëm shëndetin riprodhues, por bëhet edhe më i rrezikshëm kur transmetohet nga nëna tek foshnja.
“Për herë të parë pas shumë vitesh kemi diagnostikuar një rast tek një grua shtatzënë. Sifilizi shpesh vjen në shoqëri me rritje të sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme, përfshirë edhe HIV-in,” shtoi ai.
Nëse sifilizi mbetet i patrajtuar, mund të shkaktojë lindje me deformime, verbim apo paralizë.
“Kjo sëmundje shkakton dëmtime neurologjike dhe probleme kardiovaskulare,” vijoi Dr. Harxhi.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente, si në aspektin e profilaksisë parandaluese, ashtu edhe në diagnostikimin e hershëm të rasteve.
“Duhet të përdoren teste të shpejta dhe të hartohet një strategji e qartë për ndërhyrje efektive,” përfundoi ai.
Me rritjen e turizmit po rritet edhe turizmi seksual, çka kërkon masa specifike për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.




