Ministria e Shëndetësisë ka dal sot me një komunikatë ku është alarmuar opinioni për situatën e rëndë sa i përket furnizimit me barna dhe materiale tjera shpenzuese.
MSH ka deklaruar se në buxhetin e këtij viti janë përcaktuar vetëm 5.5 milionë euro për barna, ndërsa ky buxhet vitin e kaluar ka qenë mbi 11.4 milionë, shkruan Gazeta Shneta.
MSH ka sqaruar se lista esenciale për furnizim me produkte mjekësore nivelin primar të shëndetësisë numëron 282 artikuj. Aktualisht MSH i ka vetëm 24 kontrata për barna dhe 12 për material shpenzues.
“Sipas kësaj, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe). Bazuar në këto të dhëna, vlerësohet se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Njoftimi i plotë:
Me qëllim të rritjes së transparencës ndaj publikut, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të informojë lidhur me gjendjen për sa i përket furnizimeve me barna dhe material shpenzues në sektorin publik, përkatësisht në Kujdesin Parësor Shëndetësor që furnizohen nga Ministria dhe programet e veçanta.
Buxheti i alokuar për Programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,550,000.00 euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,476,913.90 euro.
Lista Esenciale për furnizim të nivelit primar numëron gjithsej 282 artikuj prej të cilëve 206 janë barna, ndërsa 76 material shpenzues.
Numri momental i kontratave të nënshkruara për barna është 24, apo shprehur në përqindje 11.65 %.
Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 %.
Numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6 %.
Sipas kësaj, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe).
Bazuar në këto të dhëna, vlerësohet se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht.
MSh është duke u angazhuar maksimalisht që ta përmirësojë këtë situatë përmes veprimeve konkrete dhe, pas analizimit të hollësishëm të arsyeve që e kanë krijuar këtë situatë, do të marr hapa konkret, që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i institucioneve shëndetësore të nivelit parësor (QKMF-ve) me artikujt e nevojshëm nga Lista Esenciale e Barnave.