Mjekët pediatër të Klinikës së Pediatrisë në QKUK dhe Spitaleve të Përgjithshme, kanë udhëtuar për në Turqi ku po mbahet një kongres për fushën e tyre.
Pediatrit janë duke qëndruar që nga dita e djeshme në hotelin me 5 yje “Ragnum” në Belek në Antalia, shkruan Gazeta Shneta.
Nga klinika e Pediatrisë në QKUK, për në Turqi kanë udhëtuar 10 mjekë, përfshirë edhe drejtorin Muharrem Avdiu. Ky i fundit si zëvendësuese e ka lënë doktoreshën Xhenane Gojani.
Ajo nuk dëshiron të flas për udhëtimin e kolegëve të saj për në Belek dhe kërkon të pres derisa të kthehet drejtori. Gojani ka deklaruar se në klinikë gjithçka është duke shkuar në rregull, përkundër mungesës së 10 mjekëve.
Një burim i Gazetës Shneta ka treguar se financimin e pjesëmarrjes së pediatërve nga Kosova në Kongresin e 61-të turk në hotelin me 5 yje në Belek, e ka bërë kompania farmaceutike turke ‘Altupharma’.
Një menaxher i kësaj kompanie nuk ka dëshiruar të flas në lidhje me këtë temë dhe ka kërkuar që javën tjetër të kontaktohet drejtori, i cili sipas tij gjendet në Kroaci.
Posa kanë ateruar në Turqi, mjekët kanë vërshuar Facebookin me postimin e fotografive. Ata kanë shfaqur momente duke u kënaqur edhe në një diskotekë.
Madje në një fotografi të publikuar, Hysen Demelezi, pediatër në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, shihet duke kënduar me mikrofon.
Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani financon udhëtime pa asnjë cent të mjekëve pediatër nga Kosova për në Turqi.
Në vitin 2014 kjo kompani kishte ‘zbrazur’ Pediatrinë duke dërguar 50 mjekë në një “Shkollë Pediatrike”, në po të njëjtin vend në Turqi.
Komisioni disiplinor i SHSKUK-së i kishte dhënë vërejtje me shkrim drejtorit të Klinikës së Pediatrisë, Muharrem Avdiut, për lejimin e këtij udhëtimi të mjekëve.
Organizimin e kësaj “Shkolle” e kishte bërë Shoqata e Pediatërve të Kosovës në krye me kardiologun pediatrik Ramush Bejiqi, i cili edhe kësaj radhe po merr pjesë në këtë udhëtim së bashku me bashkëshorten e tij.
Me bashkëshorten kësaj here ka udhëtuar edhe mjeku tjetër i Pediatrisë, Armend Vuqiterrna.
Ndërkaq, dy vite më herët, në 2012, e njëjta kompani kishte financuar pushimet verore të ish-drejtorit të SHSKUK-së, Njazi Gashi.
‘Altupharma’ i kishte dërguar në pushime pa asnjë cent Gashin me bashkëshorten dhe disa mjekë të tjerë. Këtë e kishte bërë publike kryesindikalisti i QKUK-së, Xhemë Selmani.
Ai kishte deklaruar se kompanitë farmaceutike kërkojnë si kundërshpërblim nga mjekët që t’ua përshkruajnë pacientëve barnat e tyre.
Mediat kanë raportuar edhe më herët për konfliktin e interesit ndërmjet mjekëve dhe kompanive tjera farmaceutike, të cilat financojnë udhëtime të tilla.
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, në nenin 7 përcakton se “konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtari ose personi i afërt ka interes privatë pasuror ose personal jo pasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon, ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik, kur gjendet në situata të shkeljes së mundshme të parimeve, të kufizimeve dhe ndalesave apo detyrimeve, sipas dispozitave të këtij ligji”. /Gazeta Shneta/