Në Ditën Botërore të Anestezisë e cila shënohet sot, anesteziologët nga mbarë bota do të bashkohen në një kampanjë për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Anesteziologëve iu ka bërë thirrje të gjithë anesteziologëve nga e gjithë bota që të marrin pjesë në fushatë për të nxjerr në pah rëndësinë e mirëqenies profesionale të tyre, shkruan Gazeta Shneta.
“Ne kërkojmë që familja e anesteziologëve të bashkohen për t’u ndërgjegjësuar për mirëqenien profesionale, duke ndihmuar njëri-tjetrin që të kujdesemi më mirë për vetën dhe pacientët”, thuhet në thirrjen e Federatës.
Fushata ka për qëllim që të alarmojë shoqërinë për përjetimet e anesteziologëve gjatë punës së tyre, sindromin ‘burnout’, depresionin, vetvrasjen dhe të tjera.
“Ne do të dëshironim që ju të ndani këshillat tuaja për mirëqenien në punë, si e luftoni lodhjen, stresin dhe ankthin. Ne duam që ju të na tregoni se çfarë bëni për t’u kujdesur për veten dhe kolegët”, thuhet në thirrjen e Federatës.
Dita Botërore e Anestezisë shënohet për nder të demonstrimit të parë të suksesshëm të anestezionit nga William Thomas Green Morton më 16 tetor të vitit 1846 në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston, SHBA. /Gazeta Shneta/