Anëtari i Bordit Drejtues të SHSKUK-së Dren Boshnjaku ka ngritur pyetje për listat e pritjes në Klinikën e Kardiologjisë. Ai ka thënë se ndonëse është rritur numri i koronarografive, listat e pritjes prap kanë mbetur të njëjta.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ndër të tjera është diskutuar edhe për listat e pritjes. Një nga çështjet që është diskutuar për këto lista ka qenë Klinika e Kardiologjisë, shkruan Gazeta Shneta.
Këtë e ka ngritur anëtari Dren Boshnjaku i cili ka thënë se listat e pritjes duhet të dixhitalizohen në mënyrë që të mos ketë keqpërdorime.
“Mendoj që listat e pritjes duhet të dixhitalizohen sepse menaxhimi i tyre është pak problematik. Me qenë të dixhitalizuara dhe të përditësuara në menaxhmentin e QKUK-së. Duhet të involvohen direkt drejtorët dhe kolegjiumet që mos me pas keqpërdorime”, ka thënë Boshnjaku.
Ai ka ngritur pyetje se pse lista e pritjes ka mbetur e njëjtë në Klinikën e Kardiologjisë, ndonëse është rritur numri i koronarografive nga viti 2022 dhe 2023.
“Psh. janë disa sinjalizime kanë qenë mbi 3 mijë koronarografi para ktij viti ndërsa vitin e kaluar mbi 4 mijë, ndërsa lista e pritjes është e njëjtë. Çka është problemi ktu a është rrit numri i infarkteve?”, ka deklaruar Boshnjaku.
Ai ka ngritur dyshime edhe tek rastet elektive kur pacientët ftohen për të kryer operacionin ndërsa disa prej tyre mbesin të shtrirë deri në dy javë para se të kryhet operacioni.
“Ka dyshim se psh nëse bëhet një rast elektiv kur e thirr ai duhet të kryhet, por ka raste që rrijnë deri në dy javë të shtrirë në spital pastaj kryhet procedura. Ky nuk është rast elektiv atëherë”, ka deklaruar Boshnjaku.
Kësaj çështje i është përgjigjur drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi. Ai ka thënë se kjo çështje do të rregullohet pas përfundimit të rregullores për sistematizimin e vendeve të punës pas së cilës do të bëhen edhe procedurat standarde operative. /Gazeta Shneta/




