Frekuentimi i vazhdueshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga mjekët prej vendeve të ndryshme të Evropës ka shërbyer përveçse si ndihmesë për pacientët, gjithashtu edhe si ndihmesë e shkëmbimit të përvojave me punonjësit shëndetësor në rajon.
Së fundmi, një ekip i mjekëve nga Suedia po qëndron nga dita e hënë në QKUK, ku si rrjedhojë, në sallën kirurgjike të fëmijëve kanë kryer mbi 20 trajtime, përfshirë këtu edhe operime.
Gani Çeku, kirurg i fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare tha për Radio Evropa e Lirë se bashkëpunimi me ekipe të ndryshme mjekësh ka filluar që prej vitit 2004. Më tutje, Çeku shtoi se përvojat e marra nga mjekët ndërkombëtar kanë qenë të frytshme dhe janë aplikuar nga stafi vendor.
“Është një bashkëpunim që kemi filluar që nga viti 2004. Përfitimi ka qenë i dyanshëm. Edhe ne si ekip kemi arritur të shkojmë në qendrat e tyre klinike dhe të bashkëpunojmë me metodat më bashkëkohore në Kirurgjinë Pediatrike, e në veçanti me problemet urologjike të fëmijëve”, theksoi kirurgu i fëmijëve.
“Mjekët nga Suedia që tash i kemi këtu na kanë ndihmuar kohë më parë me aparaturë moderne, e që edhe jemi trajnuar prej tyre. Trajtimi i disa sëmundjeve që është bërë këtë herë është bërë me metodat më të sofistikuara e që ne nuk i kemi kryer, por që pacientët fëmijë në këtë rast kanë përfituar nga ekipi suedeze”.
“Ne kemi bashkëpunim me shtetet nga Austria, Gjermani, Holanda, dhe Suedia e që kemi bashkëpunim mjaft të gjatë”
Veç kësaj klinike, përfitim nga përvojat e ekipeve mjekësore nga Evropa ka pasur edhe Klinika e Kirurgjisë Plastike. Doktoresha Violeta Zatriqi, i tha Radios Evropa e Lirë se së fundmi është kryer një operacion plastik i rrallë, e që nga stafi mjekësor vendor nuk është bërë më herët.
Bëhet fjalë për modifikimin gjatë operimit të syrit, pacientit të cilit i ishte hequr, për shkak të problemeve që ka pasur me të.
“Bashkëpunimi në Klinikën Kirurgjike Plastike me mjekë të huaj është i mirëseardhur si për stafin, po ashtu edhe për pacientët. Kryhen operacione më specifike kur vijnë ekipe nga jashtë. Mjekët nga Suedia vijnë dy herë në vit në klinikën tonë, ku gjatë kësaj kohe bëjmë përgatitjen e pacientëve për intervenime më të ndërlikuara, ku bëhet shkëmbimi i përvojave. Stafi jonë përfiton nga njohuritë e mjekëve të huaj dhe ka mjekë që shkojnë në qendrën spitalore prej nga vijnë këta mjekë dhe i sjellin përvojat e tyre për t”i aplikuar në Kosovë”.
Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se përpos shkëmbimit të përvojave mes mjekëve vendor dhe atyre të huaj, ka pasur në vazhdimësi mbështetje të donatorëve, që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore.
Ata kanë shtuar tutje se po punohet në vazhdimësi që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja pasi ato janë të domosdoshme, si krijimi i ambientit të përshtatshëm për shkollim të mëtutjeshëm të mjekëve nga Kosova në klinika të ndryshme evropiane e më gjerë.