Një rast tronditës ka goditur Argjentinën: infermierja Brenda Cecilia Agüero është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtore për vrasjen e pesë foshnjave dhe tentativën për vrasjen e tetë të tjerave në një repart neonatal.
Gjykata e qytetit Kordoba, në muajin qershor, e gjeti Agüeron fajtore për pesë akuza vrasje të rënduar dhe tetë tentativa vrasjeje, raporton Mirror.co.uk përcjell Gazeta Shneta.
Prokurorët deklaruan se ajo i kishte vrarë foshnjat përmes injeksioneve me kalium dhe insulinë. Pas vendimit, ajo u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa do të ketë mundësi të kërkojë lirim me kusht vetëm pas 35 vitesh. Aktualisht, Agüero ndodhet në burgun Bouwer.
Ngjarja makabre nisi në mars të vitit 2022, në Spitalin Materno Neonatal “Ramón Carrillo” në Kordoba. Fillimisht, një foshnje e shëndetshme papritur shfaqi probleme serioze kardiopulmonare. Edhe pse fëmija mbijetoi, në javët në vijim u regjistruan raste të ngjashme tek foshnja të tjera.
Hetimet nisën pasi dy neonatologë ngritën alarmin dhe bënë një kallëzim gjyqësor. Më 6 dhe 7 qershor të atij viti, gjatë të njëjtës turn, dy foshnja humbën jetën dhe dy të tjera rrezikuan seriozisht jetën, sipas raportimeve të ‘Buenos Aires Herald’.
Prindërit dhe personeli mjekësor kishin konstatuar shenja gjilpërash në trupat e foshnjave, duke përfshirë edhe “një pickim në shpinë”.
Autopsitë nxorën në pah nivele të larta kaliumi tek dy nga foshnjat e vdekura, ndërsa tek disa të mbijetuar u gjetën nivele insuline më të larta se ato që hasen zakonisht te pacientët me kancer pankreatik në faza të avancuara.
Sipas ekspertëve, këto tregues ishin dëshmi se medikamentet ishin administruar pa asnjë arsye mjekësore. Një nënë dëshmoi se kishte parë Agüeron ta merrte foshnjën e saj, e cila pak më pas pësoi ndalim të frymëmarrjes.
Nga tetë fëmijët që mbijetuan, njëri mbeti me dëmtime të rënda dhe të pakthyeshme neurologjike, ndërsa një tjetër zhvilloi skoliozë të rëndë pas një injeksioni me kalium.
Agüero u arrestua më 19 gusht 2022 dhe u akuzua për vrasje të rënduar dhe tentativa vrasjeje.
Ekspertizat psikiatrike e përshkruan Agüeron si një person me tipare narcisiste, pa empati dhe me prirje për të shijuar vuajtjen e të tjerëve.
Sipas prokurorisë, motivi i saj lidhej me përfitime në karrierë. Avokatja Daniela Morales Leanza u shpreh se ajo “luante rolin e Zotit”, duke vendosur se kush do të jetonte dhe kush do të vdiste. /Gazeta Shneta/




