Një studim i ri ka zbuluar se foshnjat e lindura para kohe nga nëna që vuajnë nga astma mund të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë një formë të rëndë të retinopatisë së prematuritetit (ROP), një sëmundje që mund të çojë në humbje të shikimit.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Journal of VitreoRetinal Diseases, analizoi të dhënat e 2,237 foshnjave të lindura para kohe, të cilat u kontrolluan për ROP në spitalet universitare të Kolorados gjatë periudhës 2006–2024.
Sipas rezultateve, 13.5 për qind e foshnjave të përfshira në studim kishin nëna me histori të astmës. Studiuesit zbuluan se këto foshnja kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa të zhvillonin forma të rënda të sëmundjes që kërkojnë trajtim mjekësor.
“Deri më tani, faktorët kryesorë të njohur të rrezikut për ROP kanë qenë pesha në lindje dhe java e shtatzënisë në të cilën lind foshnja. Identifikimi i faktorëve të tjerë mund të ndihmojë në parandalimin e rasteve më të rënda”, tha oftalmologu Zafar Gill, një nga autorët e studimit.
Retinopatia e prematuritetit është një nga shkaqet kryesore të verbërisë te fëmijët në nivel global. Ajo prek kryesisht foshnjat e lindura para javës së 31-të të shtatzënisë ose ato me peshë më të vogël se 1.5 kilogramë në lindje. Sëmundja karakterizohet nga zhvillimi jonormal i enëve të gjakut në retinë, pjesa e syrit përgjegjëse për perceptimin e dritës.
Ekspertët theksojnë se astma e pakontrolluar gjatë shtatzënisë mund të ndikojë negativisht në furnizimin me oksigjen të fetusit, çka mund të shpjegojë lidhjen e gjetur mes astmës së nënës dhe rrezikut më të lartë për ROP.
Sipas studiuesve, rezultatet e studimit nënvizojnë rëndësinë e kontrollit të mirë të astmës gjatë shtatzënisë. Ata theksojnë se trajtimi i rregullt i astmës nuk dëmton fetusin dhe mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për komplikime serioze te foshnja.
“Një nga mesazhet kryesore të këtij studimi është se gratë shtatzëna me astmë duhet ta mbajnë sëmundjen nën kontroll dhe të mos ndërpresin terapinë pa konsultim me mjekun, pasi kjo mund të jetë në dobi edhe të foshnjës së tyre”, theksuan autorët e studimit.
Studiuesit kanë bërë të ditur se nevojiten kërkime të tjera për të konfirmuar gjetjet dhe për të kuptuar më mirë mekanizmat që lidhin astmën e nënës me zhvillimin e retinopatisë së prematuritetit.


