Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi e ka rikthyer Mursel Pllanën në pozitën e ud.drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë.
Spitali i Vushtrrisë që disa muaj nuk po rehatohet me menaxhmentin e ri. Ky institucion për disa ditë ka mbetur pa drejtor teksa Gazeta Shneta ka mësuar se Mursel Pllana është rikthyer në menaxhim të këtij institucioni.
Pllana është emëruar ushtrues detyre nga drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi.
Ky vendim erdhi pas dorëheqjes së ish-ushtruesit të detyrës Fitim Meniqi i cili e mori pozitën më datën 10 prill.
Meniqi e ka konfirmuar dorëheqjen dhe ka thënë se arsyeja është personale.
“Po kam dhënë dorëheqje për arsye personale për shkak të angazhimeve tjera. Tani do ta përkrahim dr. Murselin”, ka thënë ai.
Për këtë pozitë SHSKUK pati shpallur konkursin ku aplikuan dy kandidatë, por njëri mungoi në testin me shkrim e tjetri nuk i mori pikët e mjaftueshme për të vazhduar tutje.
Ndryshe Mursel Pllana ishte shkarkuar nga kjo pozitë në nëtor të vitit 2020 me arsyetimin për keqmenaxhim në kohën e pandemisë Covid-19. Ky spital ishte shndërruar në spital për trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe kishte pasur vështirësi në furnizim me oksigjen.
Ndryshe në këtë spital është duke u zhvilluar një konkurs për pranimin e katër mjekëve specialist: Pediatër, Neurolog, Gjinekolog dhe Endokrinolog. /Gazeta Shneta/




