Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Fadil Bajraktari, ka treguar për situatën e furnizimit me barna dhe sfidat e sektorit shëndetësor në këtë qytet. Sipas tij, ndonëse me barna të listës esenciale janë pjesërisht të furnizuar, ekziston një mungesë e dukshme në disa ilaçe kyçe, shkruan Gazeta Shneta.
“Me barna të listës esenciale jemi pjesërisht të furnizuar, por ndodh që mungojnë disa barna kritike si Losartan tab, Eutirox tab, Fenobarbitoni, Amitriptilina dhe Dexametazon ampulla,” theksoi Bajraktari. Kjo shfaqje e mungesës së disa barnave thelbësore rëndon furnizimin e përgjithshëm me ilaçe për pacientët.
I pyetur nga Gazeta Shneta nëse është furnizuar QKMF-ja që ai e drejton me insulinë e vaksina, Bajraktari është përgjigjur se po janë të furnizuar.
Përveç mungesës së barnave, drejtori Bajraktari tha se ka shqetësime të tjera në infrastrukturën shëndetësore. Edhe pse infrastruktura është e mirë, ka një mungesë të ndjeshme të personelit mjekësor, duke përfshirë mjekë dhe infermierë.
Në anën tjetër, drejtori Bajraktari shtoi se ka edhe shqetësime rreth furnizimit me gaz dhe alkool.
Kjo nuk është hera e parë që një QKMF ankohet që me barna nga lista esenciale janë furnizuar pjesërisht nga Ministria e Shëndetësisë./GazetaShneta/