Të gjitha gjësendet personale të të moshuarve dhe paratë që i kanë kursyer nga pensionet, pas vdekjes së tyre, i mbesin Shtëpisë së Personave të Moshuar pa Përkujdesje Familjare, nëse të ndjerit nuk kanë ndonjë familjar që i merr ato
Deri në strehimin e një të moshuari në Shtëpinë e Personave të Moshuar pa Përkujdesje Familjare, nevojitet plotësimi i disa kritereve sipas Udhëzimit Administrativ 10/2014 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Personi që kërkon të strehohet në Shtëpinë e Pleqve, siç njihet ndryshe, duhet të jetë banorë i përhershëm i Kosovës, të jetë mbi moshën 65 vjeçare dhe të mos ketë pasardhës biologjik apo të birësuar.
Kriteri për fëmijët theksohet veçanërisht për mungesën e djemve, pasi i moshuari siç përcaktohet më poshtë në Udhëzim, nuk pengohet edhe nëse ka vajzë por kur ajo është e martuar.
“I moshuari duhet të jetë në gjendje të mirë psiskike dhe të mos ketë sëmundje infektive”, thuhet tutje aty.
Shtëpia e Pleqve në Prishtinë për momentin përkujdeset për 63 të moshuar, ndërsa ka kapacitet për 130 vetë. Për secilin prej tyre, nga buxheti i shtetit shpenzohen 900 deri në 1 mijë Euro në vit, tregon Qazim Gashi nga Qendra për Punë Sociale e MPMS-së.
Gashi thotë për Gazeta Shneta se pjesa dërmuese e të moshuarve në këtë institucion, janë nga zonat rurale, ndërsa prej tyre ka edhe nga komuniteti serb e rom.
Personat e moshuar të cilët ndërrojnë jetë gjatë qëndrimit në SHPMPF, organizimin mortor të tyre, në rast se nuk ka familjar, atëherë e ndërmerr Bashkësia Islame e Kosovës.
Gashi deklaron se të gjitha të mirat materiale dhe paratë që i lë i moshuari pas vdekjes, i dorëzohen familjarëve.
“Por në rastet kur nuk ka familjar, atëherë ato para hedhën në arkën e Shtëpisë për t’u shfrytëzuar për banorët e tjerë, ashtu siç parashihet me Udhëzimin Administrativ”, pohon ai.
Në nenin 10 të Udhëzimit 04/2007 thuhet: Me rastin e vdekjes eventuale të rezidentit, të mirat materiale dhe mjetet financiare të mbetura në dhomën e klientit pas vdekjes së tij, duhet t’i pranojë një komision i formuar enkas për këtë qëllim nga stafi punonjës i institucionit. Të gjitha të mirat materiale apo mjetet financiare pas vdekjes së rezidentit i dorëzohen familjes së tij. Nëse nuk ka familje atëherë ato shfrytëzohen në të mirë të rezidentëve të Institucionit. /Gazeta Shneta/