Një koalicion i ministrave të shëndetësisë nga vendet e Bashkimit Evropian po kërkon vendosjen e kufijve ndërkombëtarë për numrin e fëmijëve që mund të lindin nga një dhurues i vetëm sperme apo veze, për të adresuar shqetësimet etike dhe ndikimet psikologjike tek fëmijët e lindur nga dhuruesit.
Propozimi u paraqit të premten në Luksemburg nga Suedia dhe Belgjika gjatë një takimi të ministrave të shëndetësisë të BE-së dhe gëzon mbështetjen e Francës, Hungarisë, Holandës dhe Spanjës. Shumë shtete, si Suedia, tashmë kanë ligje kombëtare që kufizojnë numrin e lindjeve për dhurues, por mungojnë rregulloret ndërkombëtare, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, disa banka komerciale të spermës vendosin kufizime vullnetare, si 75 familje për dhurues, ndërsa të tjera nuk vendosin asnjë kufi. Kjo ka çuar në raste ku një person i lindur nga dhuruesi zbulon se ka mbi 100 gjysmë-vëllezër e motra.
Raste si dhuruesi holandez i dyshuar për mbi 550 fëmijë dhe CEO i Telegram-it, Paul Durov, i përfolur si baba biologjik i mbi 100 fëmijëve, kanë nxitur debat publik.
Shqetësimet janë shtuar pas një tjetër rasti, kur sperma e një dhuruesi që mbartte një mutacion të rrallë të lidhur me kancerin u përdor për të konceptuar të paktën 52 fëmijë, disa prej të cilëve më vonë u diagnostikuan me kancer.
Komisioni Evropian po e trajton me kujdes këtë çështje, duke theksuar se rregullimi i numrit të fëmijëve nga dhuruesit mbetet në kompetencën e shteteve anëtare. Megjithatë, u premtua organizimi i një diskutimi me autoritetet kombëtare dhe Shoqatën Evropiane të Riprodhimit dhe Embriologjisë (ESHRE) për të avancuar debatin. /Gazeta Shneta/




