Bashkimi Evropian ka regjistruar numrin më të lartë të produkteve të rrezikshme të identifikuara në treg gjatë vitit 2025, sipas raportit të fundit të publikuar nga European Commission përmes sistemit Safety Gate.
Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 4,671 njoftime për produkte të pasigurta, shifra më e lartë që nga krijimi i sistemit në vitin 2003, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Numri i alarmeve është rritur me rreth 14 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe është më shumë se dyfishuar në raport me vitin 2022.
Raporti tregon se kozmetika, lodrat dhe pajisjet elektrike janë ndër kategoritë e produkteve që raportohen më shpesh si të rrezikshme.
Rreziku kryesor lidhet me praninë e kimikateve të dëmshme, të cilat përbëjnë 53 për qind të njoftimeve, ndërsa pasohen nga rreziku i lëndimeve dhe ai i mbytjes.
Komisioneri për mbrojtjen e konsumatorëve në European Commission, Michael McGrath, theksoi se produktet që përdoren çdo ditë duhet të jenë të sigurta për shëndetin e qytetarëve dhe për mjedisin, pavarësisht nga vendi i origjinës.
Raporti evidenton gjithashtu se një pjesë e madhe e alarmeve për kozmetikën lidhen me praninë e substancës butylphenyl methylpropional (BMCHA), e cila është e ndaluar në Bashkimin Evropian për shkak të rreziqeve për shëndetin.
Sipas të dhënave, Italia raportoi numrin më të madh të produkteve të rrezikshme gjatë vitit 2025, e ndjekur nga Gjermania dhe Franca.
Ndërkohë, rreth tre të katërtat e produkteve të identifikuara kishin origjinë nga vende jashtë Bashkimit Evropian, ku pjesa më e madhe vinte nga Kina.
Sistemi Safety Gate përdoret nga autoritetet kombëtare për të raportuar produkte që paraqesin rrezik për konsumatorët dhe për të njoftuar shtetet e tjera anëtare, në mënyrë që ato të mund të identifikojnë dhe të tërheqin nga tregu produktet e rrezikshme.




