Një agjenci evropiane e barnave, po heton raportet rreth mendimeve vetëvrasëse në tre persona në Islandë të cilët ishin duke përdorur Ozempic dhe Saxenda.
Agjencia Islandeze e Barnave, ka ngritur një flamur të kuq për një ngjarje të mundshme negative në lidhje me barin Ozempic dhe një bari tjetër për humbje peshe të quajtur Saxenda pasi tre persona që merrnin këto ilaçe përjetuan mendime vetëvrasëse ose mendime për vetëdëmtim gjatë përdorimit të tyre, raporton Reuters përcjell Gazeta Shneta.
Si rezultat, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), po shqyrton mundësine e ngjarjeve negative të këtyre barnave me përbërësit aktivë – semaglutide (Ozempic) dhe liraglutide (Saxenda).
Megjithatë, agjencia nuk raportoi asnjë rast të vetëvrasjes në lidhje me medikamentet për humbje peshe.
Sipas burimit Reuters, në Shtetet e Bashkuara, bari për humbje peshe Wegovy, i cili gjithashtu përmban semaglutide, ka një alarm në etiketë që njerëzit që përdorin barin duhet të monitorohen për mendime ose sjellje vetëvrasëse. Megjithatë, në Bashkimin Evropian (BE), mendimet ose sjelljet vetëvrasëse nuk përfshihen në informacionin e produktit që shoqëron barnat që përmbajnë semaglutide ose liraglutide.
Sistemi i Raportimit të Ngjarjeve të Padëshiruara të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FAERS) në SHBA, ka regjistruar rreth 60 raporte të mendimeve vetëvrasëse tek njerëzit që përdorin semaglutide që nga viti 2018 dhe 70 raporte të ngjashme në lidhje me përdorimin e liraglutidit që nga viti 2010.
Megjithatë, FDA nuk i ka verifikuar ende raportet, kështu që është e pasigurt nëse këto barna për humbje peshe shkaktojnë mendime ose sjellje vetëvrasëse.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), ka thënë se do të shqyrtojë nëse do të zgjasë rishikimin e këtyre barnave.
Megjithëse rishikimi i barnave mund të rezultojë në heqjen e medikamenteve si Ozempic nga tregu, ndryshimet e etiketimit që përfshijnë paralajmërime rreth mendimeve të mundshme vetëvrasëse janë më të mundshme, raporton Reuters. /Gazeta Shneta/




