Gruaja Zenepe dhe Gëzim Pirja, të dy me aftësi të kufizuara, janë bërë prindër në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Çifti kishte kërkuar nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu që t’ju mundësonte të qëndronin në spital 5 muajt e fundit për t’i kryer kontrollet më lehtë, shkruan Gazeta Shneta.
Manastirliu ua kishte mundësuar që të banonin në një nga repartet e spitalit, në mënyrë që Zenepja të vizitohej më lehtë nga gjinekologët shqiptarë. Sot ministrja ka njoftuar edhe për ardhjen në jetë të bebes.
“Pesë muaj më parë më shkroi Gëzimi, me dëshirën dhe forcën për t’a çuar deri në fund ëndrrën e tij dhe të Zenepes për t’u bërë prindër. Ata janë sot dy prindër të rinj me aftësi ndryshe, që me forcën e jashtëzakonshme të shpirtit dhe trupit kurorëzuan ëndrrën e tyre të madhe për të sjellë në jetë një fëmijë. E quajtën El’Ana, sepse siç thonë ata, Zoti na u përgjigj!”, ka shkruar Manastirliu në Facebook. Ajo ka falënderuar ekipin e mjekëve për realizimin me sukses të këtij rasti. /Gazeta Shneta/