Një mjek në Berlin është akuzuar për vrasje në lidhje me vdekjen e 15 pacientëve që po merrnin kujdes paliativ.
Prokurorët në Gjermani thanë se mjeku 40-vjeçar akuzohet se ka administruar pa pëlqim një anestetik dhe një relaksues të muskujve te pacientët, ndërsa punonte si pjesë e një ekipi për kujdesin në fund të jetës, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Sipas ekspertëve, kjo përzierje ilaçesh besohet se ka shkaktuar dështim të frymëmarrjes dhe vdekje të menjëhershme.
Vdekjet ndodhën midis shtatorit 2021 dhe korrikut të vitit të kaluar, ndërsa viktimat ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç.
Shumica prej tyre kanë vdekur në shtëpitë e tyre.
Mjeku, emri i të cilit nuk është bërë i ditur në përputhje me ligjin gjerman për privatësinë, fillimisht dyshohej për shkaktimin e vdekjes së katër pacientëve. Që nga vera e kaluar, ky numër është rritur në 15, pasi hetuesit kanë gjetur dëshmi për më shumë krime të dyshuara.
Akuzat për vrasje në Gjermani dënohen me burgim të përjetshëm.
Prokurorët do të përpiqen ta bindin gjykatën se i dyshuari, i cili ndodhet në paraburgim që nga 6 gushti, mban një faj veçanërisht të rëndë, që do të thotë se ai nuk do të ketë të drejtë lirimi pas 15 vitesh, siç ndodh zakonisht.
Akuzat janë paraqitur në Gjykatën e Berlinit, e cila do të vendosë nëse do ta çojë çështjen në gjykim. /Gazeta Shneta/




