Spitali i Gjilanit është mbuluar nga bërlloku për shkak të një kontesti me operatorin ekonomik “Aroma Plus”. Zyrtari Kryesor Financiar Bexhet Murtezi e ka raportuar rastin edhe në Policinë e Kosovës, pasi sipas tij është kërcënuar dhe shantazhuar nga pronarët e kompanisë. Jo zyrtarisht Gazeta ka mësuar se SHSKUK këtë rast e ka denoncuar në Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës
Në dhjetor të vitit 2019 Spitali i Gjilanit e kishte shpërblyer me kontratë për pastrim grupin e operatorëve “Aroma Plus SHPK”, “SHPK Krasniqi” dhe “Beni NTP” në vlerë rreth 780 mijë euro. Pronarë i kompanisë së parë është Dijar Krasniqi, ndërsa babai tij Skender Krasniqi është drejtor i kompanisë “Krasniqi SHPK”, shkruan Gazeta Shneta.
Këta operatorë në janar të vitit 2020 kishin nënshkruar një marrëveshje me zyrtarët e SP Gjilan, për të ulur çmimin mujor nga 21,634 euro në 19,628 euro. Marrëveshja ishte nënshkruar në mes të Dijar Krasniqit nga “Aroma” dhe nga zyrtari përgjegjës i Prokurimit Faredin Sylejmani.
Disa muaj më vonë, në korrik, operatori ekonomik kishte kërkuar shtim të hapësirave për pastrim e rrjedhimisht edhe rritje të pagesës. Bexhet Murtezi, Zyrtar Kryesor Financiar në SPGJ, thotë se kishin pranuar një pjesë të kërkesës së operatorit dhe çmimi ishte ngritur në 20,247 euro. Kështu kishin vazhduar deri në janar 2021.
Por operatori sërish kishte kërkuar ndryshime, kësaj radhe kërkesa e tij ishte të ktheheshin në kontratën e nënshkruar në dhjetor të vitit 2019, dhe kishte dorëzuar dy fatura për muajin janar me shuma të ndryshme. Por asnjërën prej tyre nuk ka pranuar ta paguaj ZKF Bexhet Murtezi, pasi sipas tij marrëveshja qëndron ende në fuqi.
Për shkak të këtij kontesti tani Spitali i Gjilanit është mbuluar nga bërlloku, dhe rasti ka përfunduar edhe në Policinë e Kosovës.
Denoncimi për kërcënim e shantazh
ZKF Bexhet Murtezi më datën 8 mars 2021 ka deponuar në Policnë e Kosovës një denoncim për kërcënim e shantazh nga ana e Skender Krasniqit, pronar i kompanisë “Krasniqi” dhe babai i Dijar Krasniqit, ky i fundit pronar i “Aroma Plus”. Skenderi poashtu është vëlla i Mehdi Krasniqit, ky i fundit drejtor i shërbimeve teknike në QKUK.
Murtezi në denoncimin e tij pretendon se Krasniqi i ka thënë ta bëj një kërkesë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar për të siguruar mjetet për pagesë sipas kontratës së tenderit, duke i thënë se atje e ka drejtor “kusherinin” e tij. “Thoshte se Drejtorin e SHSKUK-së e kam kushëri dhe pa problem i sigurojm mjetet. Nga kjo e kemi bërë kërkesën, e kemi qu në SHSKUK por nuk është aprovuar”, ka shkruar Murtezi në denoncimin e tij.
Murtezi më pas kishte kërkuar që t’i silleshin faturat sipas marrëveshjes, por sipas tij Krasniqi ka vazhduar me kërcënime duke u thirrur në emrin e drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Por ndryshe deklarojnë operatorët ekonomikë. Në një përgjigje për Gazetën Shneta, përfaqësuesit e “Aroma Plus” deklarojnë se ZKF kishte nënshkruar disponueshmërinë e mjeteve në vlerë afër 800 mijë euro për aktivitetin e prokurimit në fjalë. Ata thonë se janë detyruar ta nënshkruajnë marrëveshjen më pas me presion dhe kushtëzim nga ish-Bordi i SHSKUK-së dhe menaxhmenti i SPGJ-së.
“Kemi qenë të detyruar të nënshkruajmë nje marrëveshje te kushtëzuar dhe nen presion nga ish Bordi i SHSKUK dhe menaxhmenti i spitalit regjional te Gjilanit qe te nënshkruajmë nje marrëveshje me arsyetimin nga ana e tyre se nuk kemi mjete te mjaftueshme financiare deri ne rishikimin e buxhetit ne muajin qershor te ati viti. Mirëpo pasi e kemi nje pyetje ne KRPP ne lidhje me këtë marrëveshje per interpretim atëherë përgjigja e KRPP se ka qene se çdo marrëveshje qe behet jashtë kushteve te kontratës është e kundërligjshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ata mohojnë ta kenë kërcënuar Murtezin në emër të Valbon Krasniqit, pasi sipas tyre të njëjtin nuk e kanë kushëri as farefis. Sipas tyre këto janë trillime të Murtezit i cili kërkon favore. Ata thonë se nëse nuk bëhet pagesa sipas faturave që kanë dorëzuar, do të ndërpresin shërbimet në këtë spital.
Murtezi më datën 15 mars i ka dërguar një kërkesë drejtorit të administratës, prokurimit dhe drejtorit të përgjithshëm Dr. Nisret Hajrullahu, ku ka theksuar se interpretimi i KRPP-së nuk e ka sqaruar cështjen e marrëveshjes me operatorin. Ai ka kërkuar që të vendoset në lidhje me pagesën, ose të ndërpritet marrëveshja nga ana e drejtorit të përgjithshëm.
Gazeta ka kontaktuar Hajrullahun në lidhje me këtë çështje, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Për këtë problem Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga SHSKUK, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet që lidhen me kërcënimet në emër të Valbon Krasniqit.
Jo zyrtarisht Gazeta ka mësuar se nga SHSKUK rasti është dërguar në njësinë e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, si dhe është kërkuar denoncim në Komisionin Disiplinor për Hajrullahun dhe Murtezin. /Gazeta Shneta/