Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrje permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes një postimi në faqën e tyre zyrtare, kanë konfirmuar një rënie të duksheme të rasteve me fruth.
Sipas IKSHPK-së, që prej Marsit të vitit të kaluar në total janë raportuar 871 raste të dyshuara me fruth, prej të cilave 602 janë të konfirmuara.
Ndonëse Klinika Infektive gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gjithsej 8 pacientë të dyshuar me fruth, asnjëri nga ta nuk është konfirmuar se kanë këtë sëmundje, shkruan Gazeta Shneta.
“Në Klinikën Infektive gjatë 24 orëve të fundit nuk është raportuar asnjë rast i ri i dyshuar në fruth, ku aktualisht janë të hospitalizuar gjithsej 8 pacientë të dyshuar në fruth. “, shkruhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Përsa i përket rënditjes, sipas statistikave zyrtare, Kosova renditet në mesin e vendeve me përqindjen me të lartë të vaksinimit, me rreth 95% të fëmijëve të vaksinuar.
Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit është i obliguar me ligj dhe duhet t’i nënshtrohën të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe 6 vjeçare, me dozë prej 0.5ml.
Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim.
Komiteti Nacional për Sëmundje Ngjitëse dhe PZI obligon ekipet e vaksinimit që:
• të vaksinojnë të gjithë fëmijët nga muaji i nëntë i jetës me 1 dozë prej 0.5 ml
• nëse fëmija është 5 vjeç duhet të vaksinohet me MMR rivaksinim. Nuk ka nevojë të pritet mosha 6-7 vjeç
• nëse fëmija është mbi 7 vjeç deri në18 vjeç dhe nuk është i vaksinuar fare, atëherë vaksinone me 1 dozë MMR menjëherë dhe pas një muaji booster dozën me MMR.
Instituti Kombëtar thotë se në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksina parandulese, dhe se po implementon masat parandaluese e kontrolluese të gjendjes.
Gripi sezonal në Kosovë, nën pragun epidemik
IKSHP-ja gjithashtu përgjatë mbikqyrjes së tyre permanente për sëmundjet ngjitëse në Kosovë, ka konfirmuar se ka rënie të rasteve të gripit sezonal nën pragun epidemik.
Që prej Tetorit të vitit të kaluar deri më ditën e sotme, në Institutin Kombëtar janë raportuar gjithsej 52.459 raste të dyshimta me grop, 4725 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 92 raste SARI ( Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).
Instituti gjithashtu ka konfirmuar se në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripit, prej fillimit të sezonit, 263 kanë rezultuar pozitiv me grip.
56 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 64 raste tjera janë A të pa subtipizuara.
153 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 48 prej tyre janë subtipi Yamagata (“Gripi Japonez”).
IKSHP-ja rekomandon qytetarët që të kenë kujdes ende dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në zona të mbyllura me dendësi të njerëzve dhe të përdorin më shumë lëngje të nxehta./Gazeta Shneta/