Bordi Drejtues i SHSKUK-së e ka mbajtur mbledhjen e 68-të ku është diskutuar raporti financiar për vitin 2024. Drejtori Elvir Azizi ka qenë i pranishëm në mbledhje për vetëm 2-3 minuta.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 68-të ku është prezantuar raporti financiar, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë raport ka pasur disa komente nga anëtarët e Bordit, por personi që do të duhej të përgjigjej nuk ishte i pranishëm në mbledhje. Elvir Azizi, drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së nuk erdhi në mbledhje.
Kryesuesi i Bordit Dren Boshnjaku e arsyetoi se Azizi ka takime dhe vonohet. Më pas Azizi u paraqit për vetëm 2-3 minuta dhe u largua për të mos u kthyer më.
Në fund të mbledhjes Boshnjaku i kërkoi sekretarit të Bordit që t’ia kujtoj Azizit se pjesëmarrja në mbledhjet e Bordit është obligative.
Boshnjaku i ka dhënë disa komente mbi raportin financiar. Ai ka thënë se duhet të kërkohet më shumë llogari dhe të ketë më shumë mbikëqyrje mbi shpenzimet e buxhetit.
Ai gjithashtu ka propozuar edhe një konkluzion që të raportohet mbi detyrimet kontigjente të SHSKUK-së.
“Raportet e pasqyrojnë realitetin. Ka gjetje të përsëritura që janë keqmenaxhim dhe duhet të konkludojmë që të merren masa dhe të krijohen targete dhe të përcillen në vazhdimësi. Bordi do të marr masa që secilin institucion që ka përformancë të dobët të thirren në përgjegjësi. Kjo duhet të jetë edhe një vërejtje për menaxhmentin, përndryshe do të marrim masa edhe ndaj menaxhmentit”, ka deklaruar Boshnjaku.
Përkundër vërejtjeve, Bordi me vota unanime e ka miratuar Raportin e Punës.
Bordi sot e ka emëruar edhe komisionin përzgjedhës për konkursin për drejtor të Qendrës Klinike Stomatologjike dhe qendrave të shëndetit mendor.
Në komision janë vendosur: Ardian shefiu kryesues, dhe anëtarët Gëzim Murseli, Fikret Arifi, Hasan Ajeti dhe Niman Bardhi nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




