Familjarët e Vlora Paci – Nezirit, e cila u ther sot me thikë në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, shprehen të tronditur lidhur me rastin dhe thonë se nëna e nxënësit që e sulmoi mësuesen ishte me probleme psikike.
Vlora Paci – Neziri sot është therur me thikë nga një prind, pas një përleshjeje fizike, ndërkohë që gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Bashkëshorti i saj, Mehidin Neziri, shpreson që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Mjekët në QKUK thonë se gjendja shëndetësore e mësueses së therur me thikë ka qenë e rëndë kur është sjellë për trajtim në këtë institucion shëndetësor. Dafina Basholli, specialiste e mjekësisë emergjente, thotë se gjendja aktuale e saj shëndetësore është stabile.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe punëtorët teknikë, të cilët prapa kamerave kanë konfirmuar se personi që ka sulmuar me thikë mësuesen është nënë e një nxënësi me inicialet B.D. e moshës 38-vjeçare.
E Florije Mustafa, prind, thotë se është e shqetësuar lidhur me rastin dhe e ka të vështirë të dërgojë fëmijët e saj në këtë shkollë, pas këtij rasti. Ndryshe, B.D. është arrestuar nga Policia e Kosovës, e cila pritet të fillojë hetimet lidhur me rastin që ka tronditur qytetarët.