Ka arritur në shtatë numri i viktimave në Itali nga koronavirusi i ri Covid-19. Viktima është konfirmuar në qytetin Castiglione ku raportohet se është një i moshuar 80-vjeçar.
Ndërkaq autoritetet italiane kanë konfirmuar se deri më tani kanë rezultuar pozitiv me virusin 230 persona.
Krejt kjo situatë në Itali ka shpërthyer brenda dy ditësh. /Gazeta Shneta/
10:25 – Shkon në katër numri i viktimave nga koronavirusi
Ka shkuar në katër numri i viktimave të koronavirusit në Itali. Viktima e katërt ishte një burrë 84-vjeçar nga Bergamo. Ky është person i tretë që vdes nga koronavirusi në rajonin e Lombardisë.
Së paku 152 persona janë infektuar me koronavirusin COVID-19 deri më tash në Itali. Autoritetet i kanë vendosur në karantinë më shumë se dhjetë qyteza në pjesën veriore të Italisë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
Të dielën në mbrëmje, Austria ia ndaloi hyrjen një treni që vinte nga Italia pasi kompania italiane e hekurudhave i njoftoi autoritetet austriake se në këtë tren ndodheshin dy persona me temperaturë të lartë.
——————————————————————-
09:17 – Ambasada e Kosovës thotë se s’ka kosovarë të prekur nga sëmundja
Ambasada e Kosovës në Itali ka konfirmuar se deri më tani asnjë kosovarë nuk është i prekur nga koronavirusi i ri Covid-19.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Koronavirus – Covid 19 në Itali. Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, transmeton Gazeta Shneta.
Ambasada iu ka bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë në Itali që për çdo rast nevoje të kontaktojnë shërbimet e emergjencës si dhe ka vendosur numrat e telefonit të Ambasadës dhe Konsullatës në Milano.
“U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qendrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7. Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë. Për çdo eventualitet numri i emergjencave i ARKS në Romë: +393274526991; dhe ai i Konsullatës së Përgjithshme në Milano: +393472127662”, përfundon njoftimi. /Gazeta Shneta/
——————————————————————-
08:58 – Italia në alarm: Covid-19 merr tre jetë, konfirmohen mbi 150 të prekur nga sëmundja
Italia është në gjendje alarmi pas shpërthimit të koronavirusit të ri Covid-19 i cili preku qindra persona brenda 24 orëve dhe mori jetë.
Deri më tani autoritetet në Itali kanë konfirmuar se tre persona kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, ndërsa janë konfirmuar pozitiv 153 pacientë. Të vdekurit ishin persona të moshuar dhe të prekur nga sëmundje të tjera, shkruan Gazeta Shneta.
Mediat kanë raportuar se virusi është përhapur nga komuna Vo Euganeu në Veneto dhe në disa komuna në Lombardi. Por shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile Angelo Borreli ka deklaruar se ende nuk e kanë idenfitikuar burimin.
“Ende nuk e kemi verifikuar pacientin 0 nga i cili është përhapur virusi në Itali. Për momentin nuk kemi probleme me qendrat që strehojnë personat në karantinë. Ushtria e autoritetet lokale kanë vënë në dispozicion kazerma e struktura të mjaftueshme”, ka deklaruar Borreli.
Ndërkaq në disa qytete tjera është vendosur mbyllja e shkollave dhe bizneseve private. /Gazeta Shneta/