Në mbledhjen e 41-të të Bordit Drejtues të SHSKUK-së e cila u mbajt dje, pati një debat në mes të kryesuesit Naim Bardiqi dhe drejtorit Elvir Azizi për çështjen e planit të burimeve njerëzore dhe moszbatimit të konkluzave të Bordit. Në një moment Bardiqi ia mori fjalën Azizit, e ky i fundit kërkoi falje duke thënë se e ka keqkuptuar. Pas mbledhjes Bordi dhe drejtori mbajtën një takim pa praninë e mediave, në të cilin Gazeta ka mësuar se është diskutuar për këtë debat.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka mbajtur dje mbledhjen e 41-të ku janë diskutuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me funksionimin dhe organizimin e njësive përbërëse. E në këtë mbledhje, siç nuk ka ndodhur më parë, pati edhe një debat në mes të kryesuesit Naim Bardiqi dhe drejtorit ekzekutiv Elvir Azizi, shkruan Gazeta Shneta.
Gjithçka nisi me çështjen e planifikimit të burimeve njerëzore kur Bardiqi e ka pyetur Azizin nëse e ka atë dhe të njëjtin nëse e ka sjellë në Bord. Azizi ka thënë se e ka një plan, por ka pritur nga Bordi që të bëj prezantimin e ndryshimeve në njësitë përbërëse në regjione.
“Nuk e kam sjellë në Bord edhe pse e kam një plan të burimeve njerëzore. Ndoshta e kam keqkuptu këtë pjesë por me sa di Bordi ka pas me prezantu njëfar ndryshimi sa i takon njësive përbërëse në regjione pas një analize dhe vlerësimi të gjendjes atje dhe presim nga Bordi”, ka thënë Azizi.
Në këtë moment ka ndërhyrë Bardiqi duke ia marr fjalën Azizit. “Po bën politikë drejtori. Bordi nuk bën analiza…jo po ua marr fjalën menjëherë sepse nuk ua pranoj këtë kritikë”, iu drejtuar Bardiqi, Azizit.
Azizi: Nuk ke kritikë por konstatim.
Bardiqi: Edhe ma keq, nuk është hiq konstatim nuk qëndron. Plani i Veprimit i cili ka rrjedh nga studimi i fizibilitetit i financuar nga ËBIF, përmban edhe këtë komponentën e ristrukturimit. Është i aprovuar nga ministri i Shëndetësisë që duhet zbatim nga ana juaj drejtor. Lexone planin e veprimit dhe zbatone.
Azizi: E kam lexuar zotni kryesues. Nëse doni me implementu javën e ardhshme e keni planin. I kam pritur imputet e Bordit.
Bardiqi: Imputet e Bordet janë dhënë. Bordi ka thënë që duhet me synu që çdo klinikë në përputhje me standardet e organizatave kredibile si OBSh, duhet me kanë kost efektive me 30 shtretër me hapësira për një shtrat duke e përfshirë logjistikën me 70 metra katror, nyje sanitare për jo më shumë se dy pacientë. Këto janë standardet ju veç ejani me plane dhe ne veç kemi me çu dorën.
Pas kësaj çështje, Azizi tha se e ka keqkuptuar dhe kërkoi falje, ndërsa Bardiqi vazhdoi të kërkonte zbatimin e konkluzioneve të Bordit.
Një nga këto konkluzione, Bardiqi e përmendi rastin e Klinikës së Onkologjisë ku sipas tij mjekët kujdestarojnë por nuk bëjnë asgjë gjatë 24 orëve. “Në Onkologji çka bëjnë onkologët 24 orë, qysh s’po merren veprime hala dhe pse konkluzat e Bordit po merren si fakultative nëse don zbato nëse don jo. Konkluzat e Bordit sepse është kërku me u monitoru zbatimi i tyre. I mbajnë aty dy mjekë 24 orë që nuk bëjnë asgjë dhe në fund shikojë rrogën. Kushtetuesja ka thënë që nuk mundemi me ia ndalu dikujt me punu në publik dhe privat, por me degjeneru deri në këtë mënyrë që me keqpërdor publikun pa i kërkuar falje askujt në dobi të xhepit të vet dhe privatit, atëherë ne jemi ata që duhet me i monitoru këto që pacienti të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme”, ka deklaruar Bardiqi.
Tutje debati vazhdoi për një rast të ngritur nga anëtari Besim Demolli në Spitalin e Ferizajt për një pacient të referuar në QKUK. Në këtë çështje Azizi dhe Bardiqi sërish u “konfrontuan” kur i pari tha se duhet të ndërtojmë sistem, dhe jo të ndjekim procesin në mënyrë të fragmentuar.
Bardiqi sërish u kundërpërgjigj duke thënë se janë dhënë afër 300 konkluzione, të cilat sipas tij janë sistematike dhe nëse do të zbatoheshin do të ndërtohej sistemi.
“Jam kogja njeri sistematik dhe e njohë kogja mirë adminsitratën. Asnjëherë nuk kemi marr konkluzione njëra mbi tjetrën. Janë afër 300 konkluzione dhe sikur të ishin zbatuar deri më tani e kishim ndërtu sistemin”, ka deklaruar Bardiqi.
Pas kësaj çështje përfundoi mbledhja. Kryesuesi Bardiqi kërkoi nga anëtarët e Bordit dhe drejtori Azizi që të vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e takimeve për të diskutuar. Gazeta ka marr vesh nga burime se në këtë takim pas mbledhjes, është diskutuar pikërisht debati në mes të kryesuesit dhe drejtorit. Gazeta është njoftuar nga burimet se është diskutuar për keqkuptimet dhe shpërqëndrimet gjatë mbledhjes së Bordit. /Gazeta Shneta/