Në kohën kur në QKUK, kanë vdekur tre pacientë në rrethana të dyshimta dhe vdekja e tyre ende nuk është sqaruar, ministri Ismaili ka deklaruar se siguria e pacientëve do të jetë kryefjala e kujdesit shëndetësor. Ismaili ka paralajmëruar edhe shkarkime në QKUK për vdekjen e pacientëve, por deri më tani nuk ka ndërmarr asgjë.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili mori pjesë në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare të Mjekësisë Familjare dhe në Konferencën shkencore ndërkombëtare: “Infeksionet spitalore dhe rezistenca antimikrobike”, të mbajtura në Prishtinë.
Ministër Ismaili ka deklaruar në konferencë se qasja më e mirë në shërbime shëndetësore është prioritet i parë i punës së tij në krye të sistemit shëndetësor, ndërsa do mbështes fuqishëm forcimin e rolit të mjekut familjar si vijë të parë të frontit në ballafaqimin me problemet shëndetësore të popullatës, shkruan Gazeta Shneta
“Do të punojmë për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien dhe do t’i njoftojmë qytetarët me punën e madhe që bëhet, me sukseset e mjekëve dhe infermiereve tona, sepse vetëm kështu do të kthehet besimi në mjekun tonë dhe në shëndetësinë tonë. Kjo nuk mund të bëhet pa ju dhe angazhimin e sinqertë të secilit”, u tha Ministri Ismaili pjesëmarrësve të Konferencës së Pestë ndërkombëtare të Mjekësisë Familjare që po mbahet në Prishtinë.
Duke u zotuar se Ministria e Shëndetësisë do ta mbështes fuqizimin e rolit të Mjekësisë familjare, Ministri Ismaili ritheksoi se pacientët në Kosovë kanë nevojë për të besuar në mjekun kosovar, kurse sigurimi i një qasjeje aktive të komunikimin të drejtpërdrejt me qytetarët dhe marrjes me problemet e tyre shëndetësore, do t’i ndihmojë kthimit të besimit.
Ministri Ismaili, duke falënderuar donatorët dhe mbështetësit e Mjekësisë familjare në Kosovë, theksoi rëndësinë që ky programi i Mjekësisë Familjare të jetë i qëndrueshëm dhe të mos varet vetëm nga donatorët dhe partnerët.
Në këtë konferencë u theksua se Programi i shkollimit specialistik në Mjekësi familjare, i akredituar nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe është programi i vetëm i akredituar, dhe si i tillë që viti 2005 është një bashkëpunim i cili ende vazhdon, kurse Kryetari i këtij kolegji britanik, z. Terry Kemple e ka vlerësuar lart këtë bashkëpunim dhe ka siguruar për përkrahjen e mëtejme.
Përkrahjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve, fuqizimin e shkathtësive menaxheriale dhe klinike, vazhdimin e vizitave shtëpiake, etj., e kanë shprehur edhe përfaqësuesit e kontribuesve të jashtëm nga Lux-DEV, SDS, UNICEF-i, etj.
Përveç akreditimit të Programit të shkollimit specialistik të Mjekësisë familjare, janë duke u zbatuar vizitat në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë në nëntë komuna, me përkrahjen e UNICEF-it, për të mundësuar vazhdimin e kujdesit shëndetësor; është duke u përkrahur në 12 komuna ndërtimi i kapaciteteve menaxheriale, involvimi i komuniteteve, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, me përkrahjen e Projektit të AQH-së-Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe cilësor, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga Swiss TPH dhe “Save the Children”.
Gjatë ditës së sotme, Ministri Uran Ismaili mori pjesë edhe në Konferencën shkencore ndërkombëtare: Infeksionet spitalore dhe rezistenca antimikrobike”, të organizuar nga Shoqata e Mikrobiologëve të Kosovës.
“Infeksionet gjatë kujdesit shëndetësor dhe rezistenca ndaj antibiotikëve përbëjnë një ndër kërcënimet më të mëdha në shëndëtësinë botërore, duke pasur efekte si qëndrime më të gjata spitalore, kosto më të larta të mjekimit dhe ngritje të mortalitetit”, tha Ministri Ismaili.
Në adresimin e kësaj sfide, theksoi ai, Ministria e Shëndetësisë ka bashkërenditur forcat me Ambasadën e Italisë në Kosovë në kuadër të projektit: Mbështetje për sistemin e kujdesit shëndetësor në Kosovë. “Në kohën kur po përballemi me resurse të kufizuara buxhetore për sektorin e shëndetësisë, mbështetja e partnerëve tanë është jetike për realizimin e objektivave programore të MSh”, theksoi MInistri, duke vënë në pah se, Ministria do të përballët me sfidat të cilat vënë në rrezik sigurinë e pacientit; siç është rezistenca antimikrobike dhe sfidat e tjera.
“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar të përballet me të gjitha sfidat që kërcënojnë mirëqenien e qytetarit tonë dhe për këtë, të gjithe hallkat e zingjirit të problemit, duhet të jenë të gatshme të përmirësojnë qasjen që përpjekjet tona të jenë të suksesshme”, tha Ministri Ismaili, duke shtuar se siguria e pacientit dhe mirëqenia e tij, do të jenë kryefjala e kujdesit shëndetësor në Kosovë./Gazeta Shneta/