Gani Bajraktari ka mohuar se ka publikuar punime shkencore në revistat e gjysheve, por Gazeta Shneta e ka demantuar duke gjetur dy punime të tij në “Medical Archives”
Profesori i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Gani Bajraktari, ka publikuar punime shkencore në revistën ku publikuan edhe dy gjyshet me nga 3 vite shkollë. Fillimisht ai e ka mohuar këtë gjë, por Gazeta Shneta ka gjetur dy punime të tij në këtë revistë, një në vitin 2004 dhe tjetrin në 2009.
Reagimi i tij erdhi pasi Gazeta publikoi emrat e të gjithë profesorëve dhe mjekëve të Kosovës që kanë publikuar punime në tri revistat boshnjake dhe atë maqedonase. Bajraktari pohoi në një status në Facebook se nuk ka publikuar asnjë punim në revistën “Acta Informatica Medica” dhe “Materia socio-medica”, të cilat botohen nga e njëjta shtëpi botuese me “Medical Archives”, “Avicena Publisher”. Kjo shtëpi botuese është e renditur në listën Bealls, si publikues grabitqar. Madje revista “Medical Archives” është larguar edhe nga Scopus.
Edhe vet Bajrkatari revistave boshnjake dhe asaj maqedonase “Macedonian Journal of Medical Sciences” iu referohet pa ndonjë vlerë shkencore.
“Duke pasur parasyshë dyshimet e mia se këto revista janë jo të sakta, duke ditur se këto revista janë pa vlerë shkencore, duke mos pasur asnjë nevojë që të botojë në to (meqë punimet e mia shkencore kanë tejkaluar shumëfish numrin e publikimeve të kërkuara me standardet akademike të Kosovës), unë Gani Bajraktari, asnjëherë, në asnjë periudhë kohore, nuk kam dërguar asnjë punime në këto revista, nuk kam publikuar asnjëherë në këto revista, madje as nuk kam pranuar të jam recenzent i këtyre revistave në shumë ftesa që më kanë bërë, për faktin se unë jam recenzent i shumë revistave prestigjioze shkencore dhe nuk pranoj ftesat e shumta që më drejtohen për të qenë recenzent i revistave pa impakt faktorë”, ka shkruar ai.
Por ka mjaftuar një kërkim me emrin e Gani Bajraktarit në databazën ‘Pubmed’ për të zbuluar dy punimet e tij në “Medical Archives”. Në punimin e vitit 2004, Bajraktari është autor i parë i një punimi së bashku me Qirko S, Bakali A, Rexhepaj N dhe Elizi S. (Klikoni KËTU).
Ndërsa në punimin e vitit 2009, Bajraktari është bashkautor me Kelmendi M, Bejiqi R dhe Beqiraj R. (Klikoni KËTU).
“Madje edhe në të gjitha CV-të e mia të publikuara në webfaqen e Universitetit të Prishtinës, asnjëherë nuk ka figuruar se kam ndonjë punim në këto revista”, deklaron Bajraktari, derisa i njëjti është autor i dy punimeve ku publikuan edhe gjyshet.
Ai sulmon kolegët e tij për të cilët thotë se ndonjëri nga ta ka mundur ta vendos emrin e tij në këto punime. Madje duket edhe qesharak kur deklaron se kolegët shpesh herë ia kanë kërkuar këtë favor kinse për ta lehtësuar pranimin e punimit në këto revista.
“Jo rrallë ndodhë që kolegët të kërkojnë të vënë emrin tim në punimet e tyre pa pasur asnjë kontribut timin shkencor, siç duket jo për të më nderuar, por duke menduar se të qenurit emri im në atë punim lehtëson publikimin e tyre, e të cilat kërkesa asnjëherë nuk i kam pranuar, pa konfirmimin tim të dëshmuar, unë do ta dërgojë atë (kushdoqoftë) në Këshillin Etik të UP-së”, ka shkruar tutje Bajraktari.
Kujtojmë se revista “Medical Archives” është thumbuar nga Dr. Taulant Muka i cili ka dërguar për publikim një punim shkencor me të dhëna të rreme dhe me autor dy gjyshet e tij, njëra 81 dhe tjetra 86 vjeçare me nga vetëm tri vite shkollë. /Gazeta Shneta/