Deputët e Komisionit parlamentar për Shëndetësi kanë vizituar sot SHSKUK-në për të parë nga afër përgatitjet që janë bërë kundër koronavirusit. Ata kishin në agjendë edhe vizitën në Infektivë, por e anuluan në momentin e fundit e disa prej tyre u larguan edhe më herët sikurse deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu
Komisioni parlamentar për Shëndetësi ka vizituar sot SHSKUK-në për të parë nga afër përgatitjet që janë bërë për të përballuar situatën me koronavirusin në Kosovë. Kryesuesja Albena Reshitaj ka kërkuar nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, që t’i njoftoj për punët që janë kryer brenda këtyre ditëve, shkruan Gazeta Shneta.
Sejdiu i ka njoftuar deputetët se kanë formuar një komitet multidisiplinar, janë bërë blerje emergjente të materialeve mbrojtëse, si dhe janë siguruar 20 respiratorë rezervë në rast nevoje.
Ai ka thënë se Klinika Infektive është mobilizuar mjaftueshëm ku është krijuar një repart i izoluar dhe me hyrje të veçantë. Sejdiu ka deklaruar se do të vendosen edhe shenja në oborrin e QKUK-së për t’i drejtuar pacientët për në Infektivë.
Drejtoresha e Klinikës së Infektivës Dr. Lindita Ajazi-Berisha, ka thënë se janë të gatishmëri 24 orë për t’u përballë me fluksin e pacientëve që dyshohen se janë të prekur nga koronavirusi. Gjendjen e rëndë në repartin e izolimit ajo e ka arsyetuar me mungesën e investimeve dhe inventarin e vjetër.
Deputetët kishin planifikuar të vizitonin edhe Klinikën Infektive dhe Barnatoren Qendrore, por në momentin e fundit anuluan vizitën në Infektivë kurse shkuan në Barnatore. /Gazeta Shneta/