Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Marigona Geci ka lindur në spitalin e Gjinekologjisë në QKUK.
Në një prononcim për burimin ATV, ajo ka shpjeguar më detajisht rreth situatës dhe kushteve në repartin e Gjinekologjisë.
“Më 27 tetor e kam lind një bebe të shëndetshme, mirëpo gjatë qëndrimit për 24 orë aty ka marrë një infeksion”.
“Në repartin e Gjinekologjisë nuk funksionin asgjë, ka papastërti të madhe, dhe për këtë arsye besoj edhe foshnja ime është infektuar. Kam ardh në Gjinekologji, e kam lind djalin, dhe kam vazhduar për 24 orë me qëndrim këtu. Sa i përket situatës, papastërtisë, dhe gjendjes së përgjithshme në spital është minimum, zero”.
Geci thotë se ka pranuar të shkojë në Gjinekologji për shkak të premtimit elektoral, se “në rast nevoje, unë do të ju drejtohem spitaleve publike”.
E njëjta vazhdon të tregojë për situatën aspak të mirë brenda spitalit të Gjinekologjisë.
“Në një shtrat janë nga dy lehona, nuk ka vend për pranimin e lehonave të tjera. Mungojnë të gjitha gjërat elementare, duke përfshi edhe letrat higjenike, duke përfshi edhe ujin e ngrohtë”.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës tregon se si është gjendja e djalit të saj për momentin.
“Për momentin unë jam në repartin e Neonatologjisë, ku trajtohen fëmijët e porsalindur. Tani fëmija im është në intensivë. Rasti i djalit tim nuk është marrë seriozisht fillimisht, për shkak të rasteve tjera më të rënda. Unë analizat për djalin i bëra në privat, dhe e kuptova se djali është pozitiv me virus. Kam kërkuar që djali me u trajtu më shpejt, por gjithmonë procedurat janë shumë të ngadalta. Rasti i djalit tim tani për tani nuk është për tu shqetësuar, shpresoj të bëhet mirë, dhe të dalë sa më shpejt”.