Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku ka kërkuar përgjigje sot nga ministri Uran Ismaili në lidhje me spitalin privat “Millenium”, ose ndryshe i njohur si ish-spitali IMH, si dhe për kardiologun turk Mahmut Çakmak.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka raportuar sot para komisionit për shëndetësi në Kuvend në lidhje me licencimin e institucioneve private shëndetësore. Në kuadër të kësaj teme, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka ngritur dy raste që lidhen me skandalin e “Stentave” në kardiologji, shkruan Gazeta Shneta.
Millaku ka kërkuar të dijë nga Ismaili dhe zyrtarët tjerë të MSH-së pse nuk i është revokuar licenca spitalit IMH i cili tash mban emrin Spitali Millenium, si dhe revokimi i licencës për kardiologun turk Mahmut Çakmak, i cili është një nga 40 mjekët e akuzuar në rastin “Stenta”.
“Pse nuk është revokuar licenca e spitalit IMH, një spital turk për kardiologji, ku dihet se ka pasur keqpërdorime të mëdha prej pas luftës dhe jo vetëm që nuk i është revokuar licenca mirëpo është lejuar ndërrimi i emrit të spitalit kinse është ndërruar pronari mirëpo ky spital vazhdon të punojë me këta keqpërdorues”, ka deklaruar Millaku.
“Pse është licencuar kardiologu turk Mahmut Çakmak, pavarësisht se ai është i implikuar direkt në rastin ‘Stenta’. Ky person nuk duhet të punojë në institucionet tona, i cili ende nuk është ndëshkuar për rastin për të cilin është përfolur”, ka thënë Millaku.
Kardiologut Çakmak i ka dal në mbrojtje deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi. Ai madje e ka akuzuar për lidhje me shërbimin sekret serb UBD, familjen e deputetes Millaku, pasi ajo kërkoi heqjen e licencës për mjekun turk.
Haxhiu ka thënë se Çakmak është një nga kardiologët më të mirë në rajon dhe do të dëshironte që të kishte edhe një mjek shqiptar sikurse ai. “Prej tij mund të mësojnë kolegët. Ai është një ekspert i rrallë, do të doja që të kishte edhe një shqiptar sikurse ai në aspektin profesional”, ka thënë Haxhiu.
Në anën tjetër ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka deklaruar se kjo rasti i “Stentave” është çështje e drejtësisë, ndërsa ka thënë se krejt çka ka mundur të bëjë është funksionalizimi 24 orësh i klinikës së kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë në QKUK.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Mahmut Çakmak dyshohet se ka përfituar mbi 20 mijë euro nga referimi i pacientëve për stentim. /Gazeta Shneta/