Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e komisionit për Shëndetësi Fatmire Kollçaku iu ka bërë thirrje pacientëve që t’i denoncojnë sjelljet arrogante dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga zyrtarët e institucioneve shëndetësore.
Kollçaku ka thënë se pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, më e pakta që meritojnë është empatia dhe kujdesi i duhur. Mirëpo sipas saj ata po i nënshtrohen edhe arrogancës së individëve në sistemin shëndetësor që sipas saj e shohin veten si të paprekshëm, transmeton Gazeta Shneta.
“Prandaj, denonconi çdo rast të tillë. Vetëm ashtu i jepet fund dukurisë së keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sepse njeri i mirë, me zor nuk bëhesh. Por të respekton vendin e punës dhe pacientët, e ke obligim”, ka shkruar deputetja.
Lexoni shkrimin e saj të plotë:
Pacientët që ballafaqohen me sëmundje të rënda, për shkak të cilave detyrohen të frekuentojnë shumë shpesh institucionet shëndetësore, qoftë për trajtim apo ekzaminime, më e pakta që meritojnë është kujdesi i duhur dhe empatia nga ata që i trajtojnë.
Ankthi me të cilin ballafaqohen sa herë që i nënshtrohen ekzaminimeve, në pritje të rezultatit, është e qartë që vështirë mund ta kuptonte dikush që nuk është në lëkurën e tyre.
Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ata së paku mos t’i nënshtrohen arrogancës së individëve në sistem që e shohin vetën si të paprekshëm, dhe si dikush që i lejohet të mos komunikojë me pacientët lidhur me shqetësimet dhe nevojat e tyre kur bëhet fjalë për trupin dhe jetën e tyre.
Ekziston Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e pacientëve, për të cilin shihet që kanë pak njohuri qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë. Ju ftoj ta lexoni, për të kuptuar obligimet që burojnë nga ai.
Kërkohet respekt i dyanshëm, patjetër.
Mirëpo, po e ritheksoj, ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda, janë mjaftueshëm të traumatizuar që të lejohet që dikush nga stafi t’i ritraumatizoj duke i konsideruar si të pavlerë, apo edhe si objekt nga i cili preferohet heshtje.
Prandaj, denonconi çdo rast të tillë. Vetëm ashtu i jepet fund dukurisë së keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sepse njeri i mirë, me zor nuk bëhesh. Por të respekton vendin e punës dhe pacientët, e ke obligim.
Në fund respekt për ata kolegë, profesionistë shëndetësorë, që megjithatë përbëjnë shumicën dhe të cilët i qëndrojnë besnik Betimit të Hopoktatit.