Këshilli Etik i Odës së Mjekëve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur seancën e parë lidhur me rastin e gjinekologut turk A. P. dhe gjinekologes kosovare H. Ç.
Në këtë seancë janë prezantuar faktet e Inspektoratit Shëndetësor, i cili e ka gjetur Payaslin duke punuar pa licencë në ordinancën “Klinika Dr. P.”, e cila funksiononte me licencën e Dr. H.Ç. Për këtë të fundit, Inspektorati kishte konstatuar se punon në një institucion tjetër privat në të njëjtin orar dhe si rezultat e kishte mbyllur ordinancën, shkruan Gazeta Shneta.
Inspektorati i përfaqësuar nga Dr. Nora Krasniqi dhe Dr. Nora Kursani, prezantuan faktet nga raporti i përfundimtar pas mbylljes së ordinancës “Dr. P.” për shkak të disa shkeljeve ligjore. Krasniqi ka thënë se në datën 24.07.2017 është konstatuar shkelja e parë pasi A.P. nuk ka përdorur dokumentacionin e kërkuar ligjor në ordinancën e tij. Shkelja e dytë kishte të bënte me raportet specialistike nuk ishin lëshuar të vulosura dhe të nënshkruara nga mjeku turk. Në këtë vizitë ISH kishte kërkuar sqarime edhe nga Bordi për Licencim nëse A.P. kishte të drejt të punonte me përkthyes në prezencë të pacienteve.
Sipas raportit të ISH-së, rreth dy muaj më vonë A.P. kishte bërë kërkesë për licencim, por Bordi nuk i kishte kthyer përgjigje pasi mjeku kishte një rast të hapur me një ankesë të një pacienteje në Komisionin Etik të SHSKUK-së. Si rrjedhojë Inspektorati ia kishte ndaluar punën gjinekologut turk.
Krasniqi ka deklaruar se Inspektorati e kishte përcjellë në vazhdimësi këtë ordinancë e cila kishte vazhduar të funksiononte me licencën e mjekes H.Ç. Por më datën 14 qershor të vitit 2018, gjatë një inspektimi ishte konstatuar se A.P. kishte qenë duke punuar pa licencë dhe H.Ç. nuk kishte qenë e pranishme në ordinancë pasi e njëjtë ishte duke punuar në një institucion tjetër. Kjo nënkuptonte se A.P. e kishte shfrytëzuar licencën e H. Ç.për të punuar. Poashtu Krasniqi ka thënë se Payasli ishte zënë duke punuar pa licencë edhe në një institucion tjetër privat.
“Orari i punës i Klinikës ‘Dr. P.’ i deklaruar në MSH, është nga ora 10:00-18:00. Mirëpo në orën e inspektimit në 15:50 dera ka qenë e mbyllur dhe nuk kishim qasje në këtë institucion. Ekipi inspektues trokiti në derë dhe i ra ziles por dera nuk u hap. Pas 15 minuta pritje në korridor, dera e institucionit u hap dhe doli pacientja me iniciale M.D. Pronari dhe infermierja brenda institucionit deklarojnë se ‘nuk është dëgjuar zilja dhe kur kemi pacient nuk e hapim derën’”.
Pasi kishte filluar inspektimi dhe fillimi i procesverbalit, inspektorja Krasniqi thotë se A.P. iu kishte bërtitur në gjuhën turke dhe kishte goditur e shkelmuar tavolinën e punës. Pas këtyre sjelljeve inspektorët kishin thirrë Policinë e Kosovës për asistencë.
Krasniqi ka theksuar se në hyrje të ordiancës ishte vendosur tabela me orar të punës nga ora 14:00 deri në 16:00, gjë që nuk përkonte me orarin e punës të deklaruar në Divizionin për Licencim në MSH i cili ishte 10:00-18:00. “Gjatë kohës së inspektimit ka qenë i pranishëm Dr. A.P., por pa licencë pune. Mamia H.A. dhe një administratore”.
Krasniqi ka thënë se Dr. H.Ç. nuk kishte qenë e pranishme në ordinancë, ndonëse ajo kur kishte marr licencën kishte deklaruar orarin nga ora 10:00 deri në 18:00.
“Pacientja M.D. kishte deklaruar gjatë inspektimit aty për aty në prezencë të Dr. A.P. se kontrollin e ka bërë te Dr. A.P., ndërsa raporti i lëshuar në këtë rast nuk kishte faksimile”, ka thënë Krasniqi. Ajo ka paraqitur edhe disa fakte tjera lidhur me terminët që kishin caktuar pacientet në kohën kur Payasli nuk kishte licencë.
Inspektoret tutje kanë deklaruar se H.Ç.ndonëse kishte marr licencën për këtë ordinancë me orar të punës 10:00-18:00, ajo punonte edhe në dy institucione tjera, në ordinancën “GyneKos” dhe “HumanCare”.
Por A.P. dhe H.Ç. i kanë mohuar gjetjet e Inspektoratit. Mjeku turk ka thënë se është përballur me shumë vështirësi për kompletimin e dokumenteve të kërkuara nga inspektorët dhe për rilicencim. Ndonëse ishte zënë duke punuar pa licencë, ai ua hedh fajin inspektorëve për pezullimin e punës së tij që nga fundi i vitit 2017. Madje ai ka deklaruar se nuk do të marr licencën derisa “ekziston mafia këtu”, duke aluduar në zyrtarët e Inspektoratit Shëndetësor.
A.P. ka thënë se ka paditur kryeinspektoren Dr. A. B. dhe inspektorin Dr.N. K., i cili ishte marr me rastin e tij. Infermierja H.A. e cila shoqëronte A.P., ka deklaruar se orarin e vendosur nga ora 14:00-16:00 e kishin vendosur me kërkesë të inspektorëve. Ajo ka thënë se mjeku turk ka qëndruar në ordinancë pasi këtë ia kishin lejuar inspektorët duke qenë se ishte pronar i ordinancës.
“Për të qenë një qëndrim i drejt duhet të jetë Dr N.K. dhe pacientja për të treguar nëse unë kam bërë ndonjë intervenim”, ka deklaruar A.P. në sqarimin e tij.
Në anën tjetër avokati Kujtim Kërveshi i cili ka folur në emër të H.Ç., ka kërkuar të dijë se mbi çfarë baze po mbahet kjo seancë duke qenë se sipas tij, Kodi Etik i OMK-së ka hyrë në fuqi më vonë sesa ka ndodhur ngjarja. Kërveshi ka kërkuar dëshmi nga inspektorati për deklaratën e H.Ç. lidhur me orarin e punës, derisa ka thënë se në kontratën e saj të punës orari ka qenë në përputhje me ligjin.
Vet H.Ç. ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje ligjore lidhur me orarin e punës në ordinancat private ku është e angazhuar. Ajo ka thënë se ndihet e ofenduar dhe e dëmtuar nga akuzat.
Për shkak të agjendës së sallës së Telemjekësisë në QKUK, seanca është shtyrë për datën 20 mars ku do të vazhdojë prezantimi i fakteve nga inspektorati dhe palët. /Gazeta Shneta/