Ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj urologut Lufti Dervishi dhe djalit të tij, Arban Dervishi, të cilët po akuzohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore.Këto vepra penale, sipas prokurorisë, ishin kryer në klinikën “Medicus”, në të cilën pretendohet se ishte kryer transplantimi i veshkave, ndërsa pronar i së cilës kishte qenë Lutfi Dervishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Sokol Hajdini, por Apeli e kishte refuzuar akuzën ndaj tij, për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.Pas kthimit të rastit në rigjykim vetëm për të akuzuarin Lutfi Dervishi, procedura penale është bashkuar edhe me atë të djalit të tij, Arban Dervishi, i cili në gjykimin e mëparshëm ishte veçuar procedura ndaj tij, për shkak se ndodhej në arrati.
Shkak i shtyrjes së kësaj seance ka qenë se i akuzuari Arban Dervishi, nuk kishte caktuar mbrojtës edhe pse për veprat penale për të cilat akuzohet mbrojtja ishte e obligueshme. “Nuk kam caktuar mbrojtës, fillimisht e kam pasur një avokat por të njëjtit ia kam revokuar autorizimin dhe ka mbetur që të caktojë një avokat tjetër, por kërkoi nga gjykata që për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, ngase nuk jam i punësuar të më caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare”, ka qenë kërkesa e të akuzuarit Arban Dervishi, drejtuar trupit gjykues.
Për shkak se në këtë aktakuzë si të akuzuar kishin mbetur vetëm Lutfi dhe Arban Dervishi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, kërkoi nga prokurori special Agron Bajrami, që të shikojë cilësimet juridike, pasi sipas saj, ato nuk shkojnë.Gjithashtu, ajo kërkoi që PSRK të përcaktojë se si duhet të procedohet me dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që gjykata të fillojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar prej zyrës së EULEX-it, që të mund t’i dëgjojë këta dëshmitarë përmes video-linkut.
Por, sipas saj, këta dëshmitarë duhet të ndahen, pasi aktakuza në këtë rast po zhvillohet vetëm për shtatë transplantime.Seancat e radhës pritet të mbahen më 2 dhe 3 mars 2020, në ora 09:30.Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2018, Lutfi Dervishin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore dhe të njëjtin e kishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8.000 euro gjobë.
Kurse, anesteziologun Sokol Hajdini e kishte dënuar me një vit burgim për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.Mjekut Dërvishi, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh nga koha kur dënimi me burg është kryer, kurse në dënimin e shqiptuar, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 nëntori 2008 deri me 3 dhjetor 2008, si dhe 10 janar 2017 deri në ditën kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi, kishte ushtruar ankesë në Apel ish-mbrojtësi i të akuzuarit Dervishi, avokati Valon Hasani.