Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në fshatin Rufc i Vjetër në komunën e Lipjanit. Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, babi u’a mori jetën djalit të tij dhe bashkëshortës, ndërsa më pas kreu vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes, dje Policia ka gjetur dy revole dhe 4 gëzhoja.
“Fsh. Rufc i Vjetër, Lipjan 28.07.2023 – 16:25. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka vrarë bashkëshorten dhe djalin e tij e më pas ka kryer vetëvrasje. Njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet se janë përdorur në rast dhe 4 gëzhoja. Gjatë kontrollit në një dhomë të shtëpisë është gjetur dhe sekuestruar edhe një revole tjetër me dy fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se vrasja e trefishtë në fshatin Rufc të Lipjanit, ka ndodhur brenda familjes.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.
“Lidhur me rastin i cili ndodhi sot në fshatin Rufc të Lipjanit, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”.
Rreth vrasjes së trefishtë ka shkruar sot edhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.
Sipas tyre, djali i vrarë tashmë, ishte me aftësi të kufizuar.
“Personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e prekur në të gjitha aspektet e dhunës si në familje, si në shoqëri dhe në institucionet shkollore e deri në institucione të larta të shtetit.”, thuhet në njoftim.
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar thekson se personat me aftësi të kufizuar keqtrajtohen fillimisht nga familjarët e tyre, diskriminohen, braktisen dhe jetojnë pa përkujdesje shtetërore.
Si rrjedhojë e kësaj ngjarje, FKAK kërkon nga institucionet shtetërore që të zbardhen motivet e vrasjes si dhe të fillojë zbatimi i programeve për kujdesje dhe mbrojtje, vizita nëpër shtëpi të personave me aftësi të kufizuar ku mund të observohet nga afër kujdesi dhe kushtet në të cilat ata jetojnë. /Gazeta Shneta/