Abortet janë të ligjshme në Hungari, por trajtimi poshtërues dhe listat e pritjes i shtyjnë gratë të ndërpresin shtatzënitë e tyre jashtë vendit, thanë ekspertët dhe gratë e këtij vendi për Euronews. Destinacioni i tyre kryesor është Austria.
“Isha e sigurt se nuk doja ta kaloja këtë procedurë në Hungari,” thotë Adri, 32 vjeçe, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj. Ajo jeton në Budapest, punon si trajnere dhe rrit djalin e saj vetëm. Ajo mbeti përsëri shtatzënë, dy vjet më parë, dhe vendosi të abortonte.
Abortet kirurgjikale janë të ligjshme deri në javën e 12-të në Hungari, por grave u kërkohet të marrin pjesë në dy takime të detyrueshme me një shërbim shtetëror. E para është t’i informojë ato për mundësi të tjera, duke përfshirë birësimin, shpjegoi Réka Lebedi, një avokate në Unionin Hungarez të Lirive Civile (TASZ), një OJQ për të drejtat e njeriut. Qëllimi i dytë është t’i informojë ato për rreziqet e operacionit, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas Lebedit, me këto konsultime lindin dy probleme: “Këto shërbime të mbrojtjes së familjes janë tepër të ngarkuara”, tha ajo, gjë që mund të çojë në mungesën e kohës për gratë.
“Dhe përmes partnerëve tanë, ne e dimë se intonacioni në këto këshilla mund të jetë degradues ndaj grave.”
Adri, e cila përjetoi abuzim sistematik gjatë divorcit të saj “nuk donte të ekspozonte (veten) ndaj abuzimeve të mëtejshme”. Kështu që ajo rezervoi për veten një klinikë austriake të rekomanduar nga një mik.
Dhjetë deri në pesëmbëdhjetë gra çdo javë
“Nuk ka asnjë ligj në Hungari që do të ndalonte qartë udhëtimin për (një abort),” tha Lebedi.
Christian Fiala, një gjinekolog në klinikën Gynmed në Vjenë, thotë se institucioni administron aborte për dhjetë deri në pesëmbëdhjetë gra hungareze çdo javë.
Gynmed është vetëm një nga klinikat e shumta që shfaqet në faqen e parë të një kërkimi në Google.
Një numër i ngjashëm grash ndjekin dhe klinikën tjetër Women and Health, tha për Euronews Alexandra Kovács, përfaqësuese e shërbimit ndaj klientëve të kësaj klinike.
Women and Health gjithashtu ka një faqe interneti në hungarisht, rusisht dhe polonisht.
Kovács, një gjermano-hungareze që aktualisht jeton në Vjenë, kujdeset për klientët hungarezë.
“Shumë na zgjedhin menjëherë sepse nuk duan as të kalojnë (sistemin hungarez),” tha ajo. Kjo është pavarësisht çmimit.
Në këto klinika, kostoja e një aborti është midis 500-600 €, pa përfshirë udhëtimin, gjysma e pagës mesatare mujore të Hungarisë. Abortet në Hungari kushtojnë 100 euro. /Gazeta Shneta/




