Dhunimi seksualisht i 11 vjeçares nga pesë persona ka tronditur opinionin publike dhe ka nxitur reagime nga më të ndryshmet por çka ndërmori shteti deri më tani?
Pesë të dyshuarit janë arrestuar nga Policia e Kosovës përderisa sot gjatë ditës është mbajtur seanca e parë gjyqësore për 27 vjeçarin, njëri nga të dyshuarit për dhunim seksual të 11 vjeçares.
Përveç të dyshuarit E.R, 27 vjeçarë, për dhunim seksual ndaj të miturës janë duke u akuzuar edhe katër persona të tjerë.
Rasti tragjik ka ndodhur në një park në kryeqytet përderisa e mitura ishte duke ecur në park ku fillimisht ishin afruar tre persona duke e ngacmuar me fjalë dhe duke e prekur në pjesën e barkut dhe në fund të shpinës. Pastaj të dyshuarit kanë filluar duke e zhveshur në park. Njëri prej tyre duke ia mbajtur gojën e mbyllur dhe duart ndërsa tjetri duke e dhunuar, pastaj dhunën seksuale e ka vazhduar edhe personi tjetër.
Pas dhunimit nga dy personat e parë, sipas përshkrimit të prokurorisë, tre personat e tjerë, bashkëpunëtorë me dy të dyshuarit e parë, e kanë marrë me veturë 11 vjeçarën duke e dërguar në një vend tjetër ku kishte vetëm pemë dhe bari. Aty, dyshohet se është dhunuar edhe nga tre personat e tjerë.
Sipas prokurisë, dhunimi seksual i të miturës ka zgjatur disa orë.
Disa orë më parë ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, përderisa ka njoftuar se U.D i drejtorisë së Policisë së Kosovës është emruar zëvendësdrejtori, Fehmi Hoti.
Reagimet në rrjete sociale
Me të kumtuar lajmi për dhunimin e 11 vjeçares reagimet kanë qenë nga më të ndyshmet në rrjetet sociale – kryesisht në mbështetje të viktimës e në kërkim të dënimit të të dyshuarve.
Në listën e personave të cilët kanë reaguar për rastin tragjik janë edhe krerët e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një reagimi ka kërkuar drejtësi e dënim të merituar për të dyshuarit e kryerësit të dhunës, të njejtën kërkesë e pati edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nën udhëheqjen e zëvendësministrës së drejtësisë, Nita Shala, sot është mbajtur takimi i Grupi i Përgjigjet Emergjencës, për rastin e dhunimit të të miturës.
“Konfirmojmë gatishmërinë e secilit institucion përgjegjës për ndërmarrjen e të gjithë veprimeve, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre në facebook.
“Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë. Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sot gjatë ditës në kryeqytet me dhjetra qytetarë kanë protestuar për rastin e dhunimit të 11 vjeçarës, protesta do të vazhdohet edhe nesër në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. /Gazeta Shneta/