Mjekët tashmë i paralajmërojnë njerëzit që të shmangin kripën për shkak të rreziqeve të saj për zemrën, por studimet e reja sugjerojnë se natriumi nuk po ndihmon as lëkurën tuaj.
Studiuesit zbuluan se me rritjen e marrjes së përditshme të kripës, rriteshin edhe shanset për çrregullimin e lëkurës ekzemë, e njohur gjithashtu si dermatiti atopik shkruan Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Kufizimi i marrjes së natriumit në dietën ushqyese mund të jetë një ndërhyrje me kosto efektive dhe me rrezik të ulët për dermatitin atopik”, përfundoi një ekip i udhëhequr nga Dr. Katrina Abuabara, profesoreshë e asociuar e dermatologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko (UCSF).
Të dhënat erdhën nga një databazë kërkimore britanike e quajtur Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshin pothuajse 216,000 njerëz të moshës 37-vjeç e sipër në kohën kur ata u rekrutuan në studim.
Si pjesë e përpjekjes së Biobank, njerëzve iu kërkua të siguronin një mostër të urinës, e cila më pas mund të përdoret për të matur marrjen e natriumit të një personi.
Rreth 5% e njerëzve në Biobank kishin një diagnozë të ekzemës.
Njerëzit, mostra e urinës së të cilëve sugjeronte konsumim të lartë të kripës, përballeshin me një shans 11% më të lartë të ekzemës së rëndë, thanë studiuesit.
Nga ana tjetër, njerëzit që iu përmbaheshin udhëzimeve shëndetësore kur bëhej fjalë për kufizimin e marrjes së kripës kishin një shans 12% më të ulët të ekzemës, vuri në dukje ekipi.
Studimi u publikua më 5 qershor në revistën “JAMA Dermatology”.
Ekipi i Dr. Abuabara vuri në dukje se lidhja e kripës me ekzemën nuk është një zbulim i ri. Në fakt, “marrja e reduktuar e natriumit u rekomandua si një trajtim për dermatitin atopik më shumë se një shekull më parë”. /Gazeta Shneta/


