Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Por krejt këto miliona nuk janë ndarë në mënyrë të rregullt, dhe jo krejt pacientëve që kanë kërkuar mjete për shërim, shkruan Gazeta Shneta.
Zyrtarët e Ministrisë, përkatësisht Bordi Ekzekutiv që bënë ndarjen e këtyre parave, ka diskriminuar qytetarët në shqyrtimin e aplikacioneve, ndërsa të tjerëve iu ka ndarë paratë pa i plotësuar dokumentet e kërkuara.
Kjo bëhet e ditur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin e kaluar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 10/2013 për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, kërkesat e pacientëve duhet të shqyrtohen sipas datës te arritjes së tyre.
“Mirëpo, ne kemi identifikuar se trajtimi i tyre nuk bëhet çdo herë sipas radhës. Duke pasur lëndë ende të pa shqyrtuara, Bordi Ekzekutiv kishte pranuar dhe aprovuar lëndë të reja. Përderisa për disa lëndë kohëzgjatja e shqyrtimit dhe ekzekutimit të tyre ishte më pak se një muaj, për disa të tjera ishte deri në një vit”, thuhet në raport.
“Vonesat ishin shkaktuar kryesisht tek Bordi Ekzekutiv ngase nuk kishte vonesa të theksuara në pranimin dhe shqyrtimin e tyre nga zyra për TMJISHP dhe komisioni për vlerësim mjekësor”, shtohet po aty.
Zyra për TMJISHP kishte proceduar për shqyrtim 8 aplikacione, në të cilat mungonin profaturat, ndërsa dy raste të tjera janë subvencionuar me 60 mijë euro me raport të nënshkruar nga vetëm 2 mjekë, e që nga UA kërkohet të jenë 3 sosh.
“Nuk kishte ndonjë shpjegim pse kanë ndodhur këto mospërfillje të kërkesave ligjore; dhe Kërkesat rregullative nuk ishin respektuar edhe në raste tjera si: një pacient ishte kompensuar në 100% të vlerës së profaturës prej 7,850€, derisa sipas udhëzimit administrativ, ishte dashur të subvencionohej vetë me 70% të profaturës apo 5,495€; në një rast tjetër, nuk ishte kompensuar ne 100% të vlerës së pro-faturës, edhe pse lejohej”, theksohet në të gjeturat e raportit.
ZKA poashtu ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë për vitin e kaluar është barazuar me vetëm 6 nga 100 spitale private, ku ka financuar trajtimin e pacientëve.
Përveç kësaj, pacientët i marrin fondet nëpërmjet profaturave, por nuk i sjellin faturat pas trajtimit të tyre nga spitalet respektive. /Gazeta Shneta/