Dita Botërore e Obezitetit shënohet çdo vit më 4 mars dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për obezitetin si një nga sfidat më serioze globale të shëndetit publik. Kjo ditë është vendosur për herë të parë në vitin 2015, me qëllim që të nxisë angazhimin institucional dhe shoqëror për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje kronike.
Objektivi kryesor është gjetja e zgjidhjeve konkrete për krizën e obezitetit, rritja e vëmendjes publike, si dhe përmirësimi i politikave shëndetësore që adresojnë trajtimin dhe parandalimin e tij.
Në kuadër të kësaj dite, i ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizioni i Kosovës ishte Dr.Genc Shala, internist dhe endokrinolog, i cili foli më gjerësisht për rreziqet që sjell obeziteti.
Sipas Shalës, obeziteti duhet të trajtohet si një sëmundje kronike dhe jo si një gjendje kalimtare.
“Gjëja kryesore që duhet theksuar janë pasojat që vijnë nga obeziteti. Ai është sëmundje kronike dhe nuk trajtohet lehtë. Për dallim nga e kaluara, sot obeziteti konsiderohet sëmundje me pasoja shumë të mëdha. Nga obeziteti mund të zhvillohen shumë sëmundje si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, yndyrnat e larta në gjak dhe probleme të tjera serioze”, u shpreh ai.
Ai sqaroi gjithashtu se jo çdo person me peshë të lartë është domosdoshmërisht obez.
“Ekzistojnë disa formula matematikore që përdoren për vlerësimin e peshës trupore. Një person që merret me fitness mund të ketë peshë më të lartë për shkak të masës muskulore dhe nuk konsiderohet as mbipeshë e as obez. Ndërsa tek personat që nuk merren me aktivitet fizik, ne përdorim indeksin e masës trupore (BMI), i cili llogaritet duke krahasuar gjatësinë me peshën”, theksoi Shala.
Sa i përket grupeve më të rrezikuara për zhvillimin e diabetit, ai veçoi profesionet që kërkojnë qëndrim të gjatë ulur.
“Profesionet më të rrezikuara janë ato që kalojnë pjesën më të madhe të ditës ulur, sidomos personat që punojnë para kompjuterit dhe konsumojnë ushqime jo të shëndetshme gjatë orarit të punës. Ata që kanë punë fizike janë më pak të rrezikuar, por kjo nuk do të thotë se janë të përjashtuar, pasi në zhvillimin e diabetit ndikon shumë edhe ushqimi jo i shëndetshëm”, tha Shala.
Dita Botërore e Obezitetit shërben si një kujtesë për rëndësinë e stilit të jetesës së shëndetshëm, aktivitetit fizik të rregullt dhe ushqimit të balancuar, si hapa kyç në parandalimin e obezitetit dhe sëmundjeve që lidhen me të.




