Dega e Universitetit të Prishtinës në Veri të Kosovës ka nisur të lëshojë diploma false për kryerjen e studimeve. Një të tillë ia kishte lëshuar edhe një italiani, i cili kishte të kryer vetëm shkollën fillore. I njëjti pastaj kishte punuar në Rumani si kirurg. Express sjell detajet e diplomës dhe mungesën e reagimit të Qeverisë e Ministrisë së Arsimit pse një Universitet në Kosovë po pajis edhe ndërkombëtarë me dokumente të falsifikuara.
Një italian, me shkollë fillore, ia ka pa hairin mungesës së ligjit në Veri të Kosovës. Atje, një institucion paralel i arsimit të lartë, ia ka lëshuar një dokument fals, me të cilin ka arritur të shkojë në Rumani dhe të punojë si kirurg. Punën prej mjekut që merret me operacione e ka ushtruar nëpër disa klinika private në kryeqytetin rumun.
Gazeta Express ka arritur që të sigurojë diplomën e italianit Matteo Politi që i është lëshuar nga strukturat paralele serbe të Universitetit të Prishtinës të cilat vazhdojnë të operojnë ilegalisht në veri të Kosovës.
Në veriun e Kosovës, prej vitit 1999, funksionon Universiteti i Prishtinës, i cili asnjëherë s’është njohur nga Republika e Kosovës. Në fakt, Shteti i Kosovës ka dështuar ta fusë këtë institucion nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit. Ky kusht vazhdon të mbajë peng edhe ndryshimin e Ligjit për Arsim në Kosovës pasi serbët refuzojnë të votojnë një ligj të tillë pa iu njohur edhe universiteti i tyre në Veri.
Sidoqoftë, italianit nuk i ka penguar pështjellimi ligjor i Universitetit të Prishtinës në Veri për të t’i përfunduar në nivelin më të lartë, doktoraturë në mjekësi të përgjithshme, në tetor të vitit 2013.
Megjithatë gjithçka mbetet e pa qartë, se si Politi arriti të marrë një diplomë në Kosovë ndërmjet viteve 2007-2013, kur ai në vitin 2011 u dënua nga autoritetet italiane se i kishte vjedhur identitetin e një mjeku tjetër.
Pavarësisht kësaj, Matteo Politi, vazhdojë ta ushtrojë profesionin e tij prej kirurgu në Rumani. Personi që ia ka pranuar diplomën e tij të falsifikuar e të pa përkthyer është suspenduar nga puna në vitin 2018.
I pyetur nga Prokuroria e Shtetit, ky zyrtar kishte thënë se nuk e kishte kuptuar fare gjuhën në të cilën ishte shkruar diploma.
“Zoti e din se nga është ajo letër. Unë nuk e di, ishte me shkronja qirilicë, Unë sinqerisht nuk di të lexojë qirilic”, ka thënë zyrtari i suspenduar që kishte pranuar diplomën e shtetasit italian e për të cilin pritet që komisioni disiplinor të marrë një vendim për të.
Në këtë histori është përfshirë edhe Ministria e Shëndetësisë së Rumanisë, e cila ka njoftuar autoritetet italiane lidhur me rastin. Sipas tyre, kolegët kishin treguar se Matteo Politi nuk dinte si t’i veshte as dorezat e tij.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, të cilët thonë po ashtu se diploma për shtetasin italian është lëshuar nga strukturat paralele në veri të Mitrovicës.
“Ky sistem paralel i institucioneve i përkrahur drejtpërdrejtë nga Serbia, ka përfshirë edhe funksionimin e të ashtuquajturave institucione të arsimit të lartë. Në kuadrin e këtyre institucioneve paralele të arsimit të lartë është edhe Universiteti i Prishtinës, i cili ende sot e kësaj dite funksionon jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, Ky institucion paralel, i cili fizikisht gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, zhvillon aktivitet jashtë kurrikulave, të miratuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ata thonë se i njëjti person kishte provuar që edhe përgjatë viteve 2007-2008 ka tentuar që të mashtrojë kirurgët kosovar për të bashkë investuar në Kosovë.
Sipas OMK-së, dokumentacionet që lëshohen nga këto struktura paralele nuk janë valide, dhe si të tilla nuk përfaqësojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
Për këtë çështje ata i janë drejtuar edhe autoriteteve rumune. Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Shtetasi italian, Matteo Politi, u arrestua me 6 shkurt në një pikë kalim kufitar, derisa po udhëtonte me tren nga Rumania për në Hungari.