Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është një nga qendrat kryesore për trajtimin e sëmundjeve të trurit, palcës kurrizore dhe sistemit nervor periferik.
Drejtori i klinikës, Dr. Besnik Elshani, thekson se patologjitë më të shpeshta që trajtohen përfshijnë tumoret e ndryshëm të trurit dhe palcës kurrizore, hernitë diskale dhe anomalitë e lindura te fëmijët, shkruan Gazeta Shneta.
“Tek ne trajtojmë tumoret e trurit, tumoret e palcës kurrizore, hernitë diskale, si dhe patologjitë e lindura te fëmijët. Përparimi i shkencës ka ndihmuar që këto sëmundje të diagnostikohen më herët dhe trajtimi i tyre të jetë më i hershëm,” u shpreh Dr. Elshani.
Ai tutje shpjegon se faktorët e rrezikut për këto patologji janë të shumtë dhe përfshijnë mjedisin, mënyrën e jetesës dhe predispozitat gjenetike, por zhvillimi i aparaturave të reja ka kontribuar në mundësinë e identifikimit të hershëm të këtyre sëmundjeve.
“Klinika jonë është e pajisur me një mikroskop elektronik të gjeneratës më të re, që është shumë i rrallë në rajon. Gjithashtu, kemi sistemin e neuronavigatorit, i cili na mundëson të kryejmë operacione më të thella dhe të rrezikshme, pastaj kemi dhe aparatura që ndihmojnë në aspirime të thella të tumorëve”, potencon mes tjerash, Dr. Elshani.
Teksa ai tregon se me ardhjen e këtyre pajisjeve në klinikë, është arritur të reduktohen edhe referimet e pacientëve për trajtim jashtë vendit.
“Me këtë spektër të pajisjeve moderne, kemi ulur dukshëm numrin e pacientëve që dërgohen për trajtim jashtë Kosovës, vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me ndonjë patologji tjetër që lidhet me ndonjë sistem kur neurokirurgjia nuk mund ta bëjë atë,” thekson ai.
Për këto dhe të tjera, ndiqni videon:




