Dy drejtorët e Spitalit të Vushtrrisë, Mursel Pllana dhe Mujë Ferati, e kanë pranuar publikisht se janë furnizuar jashtëligjshëm me oksigjen medicinal nga një kompani e palicencuar. Ata kanë pohuar se nuk kanë asnjë kontratë me kompaninë “Lindi Group”, por i kanë bërë thirrje MSH-së dhe SHSKUK-së që t’ia paguajnë 19 mijë euro
Një rast skandaloz ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Vushtrrisë, me furnizim me oksigjen nga një kompani e palicencuar. Madje këtë e kanë pranuar vet udhëheqësit e këtij spitali, duke treguar se si janë furnizuar pa pasur fare kontratë, shkruan Gazeta Shneta.
Pllana ka deklaruar se kanë pasur mungesë të oksigjenit dhe si rezultat janë detyruar të gjejnë rrugë alternative për furnizim. “Kompania që e ka fituar tenderin ka pas stërngarkesë dhe ne është dashur të gjejmë rrugë alternative për furnizim. Vendim kemi marr brenda për brenda bordit këtu në interes të pacientit. Më duket që kompania që nuk ka mundur ta furnizoj spitalin, ka bo një marrëveshje me këtë kompaninë tjetër”, ka thënë Pllana.
Ai ka deklaruar për Gazetën se ky furnizim ka ndodhur nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i muajit gusht kur kanë pasur ngarkesën më të madhe me pacientë. Pllana ka konfirmuar se nuk kanë pasur kontratë me kompaninë “Lindi Group” nga e cila janë furnizuar.
Në anën tjetër drejtori operativ Mujë Ferati, ka thënë për televizionin publik se kompania “Medical Group” e cila ka fituar tenderin për furnizim me oksigjen për SHSKUK-në nuk i ka furnizuar sipas nevojave të tyre.
“Planifikimi i spitaleve për furnizim ka qenë shumë më i madh sesa ka qenë furnizimi që ka bërë kjo kompani. Kompania ‘Medical Group’ nuk ka qenë në gjendje të furnizojë më shumë sesa 20-25 boca ndërsa ne kemi pas nevojë mbi 60-80 boca të oksigjenit dhe si rezultat është dashur të gjejmë rrugë alternative për furnizim dhe për këtë e kemi njoftuar SHSKUK-në dhe MSH-në”.
Ferati ka thënë se në heshtje janë furnizuar nga një kompani tjetër, me të cilën nuk kanë kontratë, por furnizimi është bërë në sasi deri në 19 mijë euro. E këto para, Ferati po kërkon që SHSKUK ose MSH t’ia paguajnë kompanisë në fjalë.
“Ne si në heshtje kemi bërë zgjidhje duke u furnizuar me oksigjen nga kompani të tjera. Ka qenë edhe qëndrim i Bordit brenda spitalit në mënyrë që të mos mbesim pa oksigjen. Kemi bërë furnizimin nga kompania “Lindi Group” dhe deri më tani sasia që jem furnizuar është rreth 19 mijë euro”.
“Ne nuk kemi mundur të bëjmë kontratë me kompaninë ‘Lindi Group’ sepse duhet të respektohen rregullat e prokurimit. Në këtë rast SHSKUK dhe MSH kanë qenë të obliguara që t’iu dalin në ndihmë spitaleve. Pagesa nuk mund të bëhet nga ana e autoritetit kontraktues sepse nuk kemi kontratë. Në këtë rast e vetmja mundësi e pagesës mund të bëhet nëse SHSKUK ose MSH arrin kontratë me kompaninë ‘Lindi Group’ dhe t’ia kompensojnë këtë sasi që na kanë furnizuar”, ka deklaruar Ferati. /Gazeta Shneta/