Qendra Klinike Universitare e Kosovës nënshkroi kontratë për furnizim me teste të alergjisë për Klinikën e Alergologjisë, në nëntor të vitit të kaluar por furnizimi nuk u krye asnjëherë, shkruan Gazeta Shneta.
QKUK më 21 nëntor 2024 nënshkroi kontratë me kompaninë “Interlab” për furnizimin e Klinikës së Alergologjisë me material shpenzues për teste. Vlera e kontratës ishte 8300 Euro.
Urdhërblerja u lëshua më 10.12.2024, por që nga ajo kohë kjo kompani nuk e furnizoi asnjëherë klinikën me teste. Për këtë arsye QKUK ia shkëputi kontratën më datë 27.03.2025.
“Menaxheri i kontratës vazhdimisht ka kërkuar që të kryhet liferomi si dhe ka kërkuar nga Operatori Ekonomik arsyetim për vonesat e liferimit. Në komunikimin e fundit me operatorin ekonomik Menaxheri i kontratës ka kërkuar që nëse në afat prej shtatë ditësh nuk kryhet liferomi do të merren masa në përputhje me legjislacionin e prokurimit publik”, thuhet në vendimin për ndërprerjen e kontratës.
Sipas këtij vendimi, operatori ekonomik do të jetë i detyruar që të “paguaj koston plotësuese dhe dëmet e shkaktuara nga kjo pamundësi e tij”.
Megjithatë QKUK nuk ka treguar nëse ka ndërmarr masa sipas Ligjit të Prokurimit Publik për mos liferimin me kohë të produkteve nga operatori ekonomik.
Gazeta i ka dërguar pyetje QKUK-së para tre ditësh por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
QKUK për këto test ka hapur një procedurë të re të tenderimit me vlerë të njëjtë. Klinika e Alergologjisë është e vetmja në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar. /Gazeta Shneta/




