Qendra Klinike Universitare ka mbetur edhe pa dy anesteziologë. Brenda pak muajsh nga ky institucion janë larguar gjithsej pesë anesteziologë.
Në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimin Intensiv kanë paraqitur dorëheqjen gjatë këtij muaji dy anesteziologë, Dr. Arben Kryeziu dhe Dr. Dukagjin Berisha, shkruan Gazeta Shneta.
Dorëheqjet e tyre kanë ndodhur për arsye shëndetësore, si dhe mbingarkesës me punë gjatë pandemisë Covid-19. Kryeziu nuk ka dashur të jap detaje për largimin e tij, por ka thënë se dorëheqja është bërë për arsye shëndetësore.
Gazeta ka parë njoftimin për dorëheqjen e Kryeziut, i cili ka shkruar se po largohet nga ky institucion pas 13 vitesh punë. “Për më shumë se 13 vite punë pranë KAM-it, jap dorëheqje nga marrëdhënia e punës për arsye shëndetësore”, ka shkruar ai.
Njëjtë ka deklaruar edhe Berisha, i cili ka treguar se poashtu ka qenë i sëmurë me Covid për rreth 2 muaj.
“Nga ditët e para kur kemi pas rastet me Covid unë kam qenë në punë. Kam punuar në Mjekësinë Sportive, por edhe në njësi të tjera ku ka pasur nevojë. Tash kam dhënë dorëheqje sepse kam qenë i sëmurë me Covid për 2 muaj dhe kam qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ende nuk po mundem të marr veten plotësisht”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se arsyet tjera janë mbingarkesa me punë, ndërsa planifikon që të punoj në sektorin privat me orar të shkurtuar.
Kujtojmë se në qershor të këtij viti QKUK-në e kanë lënë edhe tre anesteziologë të tjerë, Dr. Agron Hoti, Dr. Islam Bytyqi dhe Dr. Agron Ruva.
Drejtori i Klinikës së KAM-it Dr. Nehat Baftiu ka thënë se kjo situatë është shqetësuese, dhe klinika rrezikon të mbetet edhe pa specialistë të tjerë.
“Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen me numrin e vogël të anesteziologëve në QKUK. Ikja e anesteziologëve nuk po ndalet. Shteti duhet të mendoj më shumë për këtë çështje dhe t’i përmirësojë kushtet dhe t’i rris rrogat e anesteziologëve nëse duan t’i ndalin që të punojnë në QKUK. Ndryshe unë parashikojë që deri në fund të vitit ne do të mbetemi edhe pa së paku 4 anesteziologë të tjerë. Kjo është shqetësuese duke marr parasyshë edhe gjendjen me pandeminë”, ka deklaruar Baftiu.
Ai ka bërë të ditur se në QKUK tani kanë mbetur 57 anesteziologë të cilët i mbajnë më shumë se 30 salla operative si dhe mjekimin intensiv.
Anesteziologët në QKUK gjatë kohës së pandemisë kanë qenë të shpërndarë në tre njësi ku kanë trajtuar pacientë me Covid, duke përfshirë Klinikën Infektive, Mjekësinë Sportive, si dhe një intensivë në Klinikën e Gjinekologjisë. Aktualisht rastet e rënda me Covid po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qëndror. /Gazeta Shneta/