Se gjendja e pajisjeve mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe po ashtu edhe në spitalet rajonale është e dobët, kjo veçse është dëshmuar.
Por, edhe në kohën kur ndahet buxheti për pajisje të reja, janë specifikimet teknike për tender ato që vazhdimisht përpilohen me gabime, me ose pa qëllim, shkruan Gazeta Shneta.
Kësisoj, në dosjen e tenderit të publikuar këtë javë nga QKUK-ja me titullin: “Furnizimi me paisje mjekesore -Grupi II” (701-18-2049-1-1-1) janë kërkuar pajisje të ndryshme përfshirë ultrazëra. Vlera e kësaj kontrate kap shumën prej 551 mijë euro.
E habitshme ishte kërkesa për ultrazërin që është destinuar për t’u përdorur në Gjinekologji dhe Obstetrikë, pasi aty kërkohet që ky ultrazë, ndër të tjera, ta suporton punën me sondën transezofageale.
Kjo sondë është e specializuar për ekzaminime më të thella ekokardiografike dhe për fat të keq nuk ekziston tash e një kohë as në Klinikën e Kardiologjisë.
Gjithashtu, numri i kardiologëve të trajnuar për të përdorur këtë sondë është i vogël.
Edhe pse do të jetë i destinuar për aplikim OB/Gyn, për këtë ultrazë nuk është kërkuar sondë intra-vaginale.
Drejtoresha e Gjinekologjisë, Dr. Myrvete Paçarada, ka deklaruar se nuk kanë kërkuar ultrazë të tillë.
“Nuk na duhet neve ultrazë për ekzaminime ekokradiografike. Mund të jetë bërë ndonjë gabim në specifika. Nuk ka qenë kërkesë e jona”, ka thënë Paçarada.
Ajo ka shtuar se për këtë gjë do të kërkojë detaje shtesë nga Zyra e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/