Ka disa javë që procesi i lidhjes së kontratave, përkatësisht i menaxhimit të kontratave për furnizim me produkte nga lista e barnave esenciale është bartur nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Tani e tutje çdo kontratë e re e cila do të lidhet në të ardhmen që ka të bëjë me shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor ku hyjnë spitalet dhe nivelit tretësor ku hynë Qendra Klinike Universitare, do të lidhet drejtpërdrejtë nga SHSKUK-ja, kështu thotë në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
Ai ka treguar se ministria është në proces të revidimit të listës së barnave esenciale dhe në fund të muajit prill, eventualisht në fillim të muajit maj, sistemi shëndetësor pritet ta ketë listën e re të barnave esenciale.
“Kontratat që janë në proces dhe ato që lidhen më herët nga Fondi do të menaxhohen deri në skadim të tyre, ndërsa çdo kontratë e re tash e tutje do të lidhet dhe menaxhohet nga SHSKUK-ja. Sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë si institucion politikbërës, ministria është në proces të revidimit të listës së barnave esenciale sipas nevojave të institucioneve shëndetësore dhe ne presim që ka fundi i këtij muaji, eventualisht në fillim të muajit maj Kosova”
“…përkatësisht sistemi shëndetësor ta ketë listën e re të barnave esenciale e cila sigurisht do të jetë shumë më e pasur se lista aktuale në fuqi sepse do të përfshihen propozime të reja qoftë nga institucionet shëndetësore, qoftë nga subjektet farmaceutike dhe me ndihmën edhe me ekspertë të OBSH-së do të përpilohet një listë e cila do t’i përgjigjet sistemit shëndetësor të Kosovës, përkatësisht nevojave që ka sistemi publik shëndetësor për furnizim me produkte mjekësore”, ka thënë Hoti.
Ai ka treguar se buxheti për material shpenzues, përfshirë edhe citostatikët këtë vit është rritur dhe tani në dispozicion të institucioneve shëndetësore janë 34.9 milionë euro.
“Sa i përket buxhetit të ndarë për barna dhe material shpenzues përfshirë edhe citostatikë, që janë parat me të cilat trajtohet sëmundjet malinje, sivjet buxheti është rritur sepse në dispozicion ministria përkatësisht institucionet shëndetësore publike kanë 34.9 milionë euro, që do të thotë është një ngritje substanciale”.
“Megjithatë edhe e kaluara ka dëshmuar se sistemi shëndetësor, përkatësisht pacientët tanë kanë pasë nevojë që të kenë më tepër barna në dispozicion dhe për këtë qëllim MSH-ja po e bënë edhe revidimin e listës së barnave esenciale e cila duhet t’i përgjigjet buxhetit të ndarë për këtë kategori të shërbimeve”, tha Hoti.
Në të kaluarën duke u thirrur në ekonominë e lirë të tregut, sipas Hotit, subjektet farmaceutike kanë mbajtur çmime të ndryshme të barnave në farmacitë e tyre, ky fenomen ekziston edhe sot.
“ Ka disa muaj që MSH-ja në mënyrë aktive ka punuar në nxjerrjen e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave i cili do të vendos tavan për çmimet për produktet e caktuara, në veçanti për ato të cilat do t’i kontraktojë sistemi publik shëndetësor dhe kësisoj në të ardhmen synimi është që qytetari kosovar pavarësisht se në cilin qytetet do të blejë një medikament ta ketë çmimin e njëjtë dhe të mos ketë psh. në një farmaci në qytet një preparat ta blejë me një çmim shumë të lartë se që mund ta blejë psh. në një qytet tjetër”.
“…thjeshtë të ketë një rregull sa i përket edhe çmimeve dhe jo vetëm në sektorin privat, por edhe në sektorin publik preparatet që blihen të blihen me çmime të arsyeshme dhe ato të kenë vlerën e tregut, mos të jenë çmime të fryra siç ka ndodhë në të kaluarën, por të jenë çmime të cilat i përgjigjen edhe zhvillimit të vendit dhe mundësive që i kanë edhe qytetarët e vendit”, ka thënë Hoti.
Hoti në këtë intervistë ka folur edhe për blerjen e barnave në farmacitë në Kosovë, pa recetë mjekësore. Ai ka thënë se ka shumë raste kur qytetarët shkojnë në farmaci blejnë antibiotikë dhe ky paraqet një rrezik të madh për shkak se i rritë gjasat që të krijohet rezistencë.